Prishtina dhe Ballkani janë dy skuadrat që do të luftojnë për trofeun e Kupës së Kosovës.
Këto dy skuadra siguruan finale, pasi Ballkani eliminoi Feronikelin dhe Prishtina skuadrën e Drenicës, shkruan KosovaPress.
Ballkani në ndeshjen e dytë arriti një barazim 1:1 me Niklin dhe ky rezultat ia siguroi skuadrës së Munishit finalen e parë në histori të klubit.
Golin për skuadrën nga Suhareka e shënoi Mirlind Daku, ndërsa për vendasit barazoi sulmuesi Harmon.
Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave e zhvilluar në Suharekë përfundoi pa gola 0:0.
Ndërsa në gjysmëfinalen tjetër Prishtina mposhti edhe në Skenderaj Drenicën me rezultat 3:2.
Për skuadrën e Armend Dallkut shënuan Leonit Abazi, Endrit Krasniqi dhe Leotrim Bekteshi, ndërsa për skuadrën e Gani Sejdiut golat i shënuan Muleci dhe Kerim.
Edhe ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave kishte përfunduar me fitoren e Prishtinës me rezultat të thellë 3:0.
Edhe pse ende zyrtarisht nuk është caktuar nga FFK data se kur do të zhvillohe finalja e Kupës, por sipas faqes zyrtare të Prishtinës data më e afërt mund të jetë 29 korriku./Tv Malisheva