Liga e Parë e Kosovës në futboll në edicionin e ardhshëm do të pësojë ndryshime të mëdha, raporton Zeri.info.
Edicioni ri në Ligën e Parë do të jetë më 20 ekipe. Pikërisht për këtë arsye është vendosur edhe të ndërrohet sistemi i garave.
Në mbledhjen e fundit të mbajtur, Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që Liga të Parë të ndahet në dy grupe me nga 10 skuadra po ashtu garat do të zhvilloheshin me sistem të trefishtë, duke marrë për bazë që një Ligë me 20 klube do të ishte ngarkesë e madhe për shkak të numrit të madh të xhirove dhe afati për përfundimin e garave duhet të jetë konform me kalendarin e UEFA-s.
Zeri.info mëson se në edicionin e ardhshëm nga Liga e Parë në Superligë, do të inkuadrohen dy skuadrat që përfundojnë në pozitat e para, kurse klubet që përfundojnë në vendet e dyta, do ta sfidojnë njëra-tjetrën një ndeshje të barazhit. Fituesi i këtij takimi do të përballet me skuadrën që përfundon në pozitën e tetë në Superligë nga ku kërkohet fitimi i statutit të klubit elitar.
Ndryshe, ekipet e Superligës që e mbyllin edicionin në pozitat nëntë dhe dhjetë, automatikisht largohen nga elita.
Krahas Ligës së Parë, edhe Superliga do të pësojë ndryshime në edicionin e ri pasi që do të garohet me dhjetë ekipe.