Kishte lënë Suedinë për të implementuar një projekt afatgjatë te Feronikeli të prezantuar nga Albert Bunjaki, ish-selektor i Kosovës. Por, aventura e Agim Sopit zgjati shumë pak te ish-kampionët e vendit. Për më tepër Sopi u ndje i tradhëtuar nga presidenca e klubit, i zhgënjyer nga futbolli kosovar dhe i pashpresë për të ardhmen.

Në një rrëfim ekskluziv për Gazetën “Sheshi”, tekniku me prejardhje nga Shkupi ka rrëfyer për të gjithë ndodhitë në kampin e “industrialistëve”, duke vendosur kështu t’i kundërpërgjigjet deklaratave të presidentit të klubit, Naser Rama, i cili në një intervistë dhënë Gazetës “Zëri” ditë më parë deklaroi se gabuam në përzgjedhjen e trajnerëve, ndërkohë këta të fundit sollën futbollistë të dështuar.

“Kam ardhur në Kosovë për shkak të një projekti që më është prezantuar nga Albert Bunjaki, pasi që është mik i mirë i imi dhe kemi biseduar që të implementojmë atë projekt afatgjatë, i cili u bë i shkurtër qysh në ditët e para kur erdhëm aty, shkaku i ambicjeve të klubit për t’u shpallur kampion me nëntë pikë prapa liderit”, deklaroi fillimisht Sopi

Sopi ka mbetur i befasuar për të keq me futbollin kosovar. Ai thotë se presioni i madh i klubeve në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe gjyqtarët e ndeshjeve ka bërë që niveli të ulët për fat të keq. Thotë se ndeshjen ndaj Prishtinës dhe Ferizajt nuk do ta harrojë asnjëherë në jetë.

“Në Kosovës është liga më e korruptuar në Evropë. Klubet bëjnë presion të madh te gjyqtarët dhe Federatat, po flas për këtë pjesën se çfarë kam parë unë. Nuk do t’i harroj skenat e ndeshjeve nga stoli i kundërshtarëve. Presione të tilla nuk kam parë asnjëherë në karrierën time”.

Madje, ai ka edhe një pyetje për kolegët e tij në Kosovë, teksa thotë se disa nga ndeshjet e fundit në futbollin kosovar janë turp për t’u shikuar.

“Nuk e di se si gëzohen disa trajnerë me fitore të tilla se çfarë po i arrijnë tash. Ata e dijnë shumë mirë se si i kanë fituar ato ndeshje dhe si mund t’u flasin futbollistëve, kur e dijnë se si kanë fituar. Personalisht nuk do të qëndroja as pesë minuta në ato situate, nëse veçse do më kishte kërkuar dikush t’i kurdisja ndeshjet. Është marre e madhe se çfarë po ndodh në futbollin kosovar”, theksoi Sopi.

Pasojat e këtyre ndeshjeve po shihen në arenën ndërkombëtare, derisa potencon se në forma të tilla futbolli kosovar nuk mund të shkojë përpara.

“Merreni dhe shiqoni secilën skuadër që është bërë kampion dhe si është bërë. Po shihen rezultatet në arenën ndërkombëtare. Po humbasin nga skuadrat amatore të Gjilbraltarit dhe Ishujve Faraoe. Futbolli i Kosovës duhet të ndryshojë një ditë, nuk shkohet kështu përpara”, përfundoi Sopi.

Share.