Qendërmbrojtësi nga Kosova, Bajram Jashanica, i cili aktivohet me Skënderbeun e Korçës, është duke u kërkuar nga kampioni i ri i Shqipërisë, Tirana.

“Panorama Sport” ka mësuar se tiranasit janë duke negociuar me tre futbollistë të spikatur: Dejvi Bregu, Sabien Lilaj dhe Bajram Jashanica. Treshja e lidhur me skuadrën e Skënderbeut është në listën e planeve të “bardhebluve”. Dyshja Jashanica dhe Bregu janë gjithashtu në radarët e Kukësit dhe të Partizanit.

“Tirana duhet të afrojë një qendërmbrojtës”, u shpreh drejtori i Tiranës, Devi Muka, disa ditë më parë.

Kësisoj, duket se klubi është vënë në punë për të afruar në ekip një qendërmbrojtës të afirmuar dhe me shumë eksperiencë. Jashanica është një prej lojtarëve me të cilët kryeqytetasit kanë nisur negociatat.

29-vjeçari ka përvojë me Skënderbeun në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Ai më parë ka qenë pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës.

Ditë më parë te Tirana u transferua edhe ishi tjetër i Kosovës, sulmuesi Albion Avdijaj.

Share.