Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vendimin për tërheqjen e 12 ambasadorëve të Kosovës nga misionet e tyre diplomatike e ka konsideruar vendim të paprecedent dhe të papjekur politikisht.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj këtë veprim e quajti skandaloz, ndërsa ka kërkuar të ftohet në raportim në Komisionin për Punë të Jashtme ministrja e këtij dikasteri, Donika Gërvalla.

“Vendimi i ministrisë së Punëve të Jashtme për lirim nga detyra të një numri të ambasadorëve të Kosovës është i paprecedentë dhe i papjekur politikisht që do të ketë ndikime negative ne politikën e jashtme të Kosovës. Për veprimin skandaloz të ministres së Punëve të Jashtme kam kërkuar nga kryetari i Komisionit që në mbledhjet e radhës si Komision për punë të Jashtme dhe Diasporë ministrja të përgjigjet para komisionit për fshesën e zezë dhe për planin për shkarkim të këtyre ambasadorëve. Mendoj se është e papranueshme që në një shtet demokratik rreth 12 ambasada në një kohë të ndjeshme siç është tash të mbesin pa përfaqësim në vendet të tjera, por kjo është politika e partisë-shtet”, tha ajo.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj tha se largimi pa paralajmërim i ambasadorëve e dobëson Kosovën she dëmton subjektivitetin e shtetit.

Ajo tutje tha se partia në pozitë në mungesë së vizionit përdorën fshesën për largim të ambasadorëve dhe bordeve për t’i zëvendësuar ata me militantët e vetë.

“Largimi i paparalajmëruar i ambasadorëve të Kosovës në mes të detyrës në një periudhë të sfidave dhe shtetësisë së Kosovës e dobëson pozitën e saj dhe e dëmton angazhimin dhe ndërtimin e partneritetit me shtetet e tjera pritëse. Kjo do të thotë që ne po e dëmtojmë subjektivitetin e shtetit tonë me largimin e këtyre ambasadorëve… Kjo është një logjikë e partisë së Kurtit sepse në mungesë të vizionit se çfarë të bëjë dhe si të merr vendime për shtetin e Kosovës, e vetmja detyrë që e njeh mirë është përdorimi i fshesës dhe largimi nga bordet dhe ambasadorëve zëvendësim me militantët e tyre politikë”, u shpreh deputetja e AAK-së.

Gjatë ditës së djeshme ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka propozuar tërheqjen e 12 ambasadorëve të shtetit të Kosovës me arsyetime se janë emëruar politikisht. /TV Malisheva

Share.