Komuna e Prishtinës ka njoftuar se gjatë dy ditëve të vikendit do ta organizojë “Festivalin e Pranverës”.

Dita e sotme e shënoi hapjen e këtij festivali, i cili u manifestua edhe me disa aktivitete të futbollit për fëmijë, të cilat u organizuan nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).

Kjo ngjarje po zhvillohet në pjesën qendrore të kryeqytetit në bulevardin “Xhorxh Bush”, afër Katedrales “Nëna Terezë”, e cila është shndërruar në hapësirë të dedikuar për rekreacion për qytetarët përmes muzikës, artit e sportit.

Ndërkaq, festivali në fjalë ka për qëllim promovimin e lëvizjes së lirë përmes zgjidhjeve kreative ekomobile duke iu ofruar mundësinë qytetarëve të përjetojnë udhëtimin përmes transportit alternativ të integruar gjithëpërfshirës e të shëndetshëm si biçikletat, trotinetet, skateboardet), por edhe hapësira për më shumë aktivitete sportive.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe drejtori i sportit në Prishtinë, Granit Rugova, dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

“Festivali i Pranverës” do të vazhdojë të organizohet çdo vit dhe ka për qëllim promovimin e lëvizjes së lirë.

Disa foto nga ky festival i gjeni më poshtë.

/TV Malisheva

Share.