Eder Militao është mbrojtësi më i mirë në botë sipas trajnerit të tij te Real Madridi, Carlo Ancelotti, i cili më tutje beson se ylli brazilian mund të përmirësohet ende.

Gjiganti spanjoll kaloi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve këtë javë pasi që eliminoi Liverpoolin, dhe tani do të përballet përsëri me një skuadër angleze, atë të Chelseat.

Tani, Real Madridi e kthen vëmendjen në La Liga, ku ka një përballje tejet të rëndësishme, pasi që zhvillon të dielën “El Clasicon” me nëntë pikë larg Barcelonës që gjendet në krye të tabelës.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Barcelonën, Ancelotti përsëriti lavdërimet e tij të mëparshme për Militaon, duke e cilësuar atë si mbrojtësin më të mirë në botë.

“Militao është tejet i shpejtë, tejet i mirë në duelet një kundër një, tejet i mirë me topin dhe ai mund të godasë me kokë topin shumë mirë”, tha Ancelotti.

Ancelotti gjithashtu theksoi se Militao mund të përmirësohet ende.

“Ndoshta problemi i tij i vetëm është që nuk është gjithmonë i fokusuar 100%. Kështu që nuk mund të them se ai është perfekt. Oh, gjithashtu ai nuk është shumë i bukur”, tha më tej Ancelotti.

Militao iu bashkua Real Madridit katër vjet më parë dhe është pjesë e skuadrës që ka fituar La Ligan dy herë në tre vjet, si dhe trofeun e Ligës së Kampionëve vitin e kaluar.

/TV Malisheva

Share.