Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti beson se skuadra e Napolit mund ta arrijë finalen e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.

Reali do të përballet me Chelsean në çerekfinale, dhe nëse fiton, në gjysmëfinale do të luajë kundër fituesit të ndeshjes mes Bayern Munichut dhe Manchester Cityt.

Në anën tjetër, Napoli ka një rrugëtim më të lehtë, ku në çerekfinale ka përballe kampionin italian, Milanin, ndërsa nëse eliminon “Rossonerët”, skuadra e Luciano Spallettit luan në gjysmëfinale me fituesin e ndeshjes mes Interit dhe Benficas.

Mundësia që në finale të kemi një përballje mes Real Madridit dhe Napolit është e madhe. Por, çka është i sigurt është fakti që Napoli po mahnit të gjithë këtë sezon, përfshi këtu edhe trajnerin e Realit, Carlo Ancelottin.

Ancelotti në një intervistë për “DAZN” foli për Napolin, dhe gjasat e skuadrës së Spallettit për ta fituar Ligën e Kampionëve.

“Napoli ka bërë një hap të madh duke ndryshuar hierarkinë brenda zhveshtores. E ka rinovuar ambientin me lojtarë të rinj që kanë qëllime të mëdha. Gjithashtu besoj se Spalletti është një trajner i madh në nivelin taktik me një eksperiencë dhe ky kombinim po e udhëheq Napolin drejt Scudettos. A mund ta fitojë ai Ligën e Kampionëve? Po, mund të fitohet, siç munden të gjitha tetë ekipet që gjenden në çerekfinale. Ekipet e tjera do ta shohin fitoren”, tha Ancelotti.

/TV Malisheva

Share.