Festivali “Sunny Hill” po bëhet gati për hapësirën e re. Kjo ka bërë që të merret vendimi për të shtyrë edicionin e sivjetëm ndërsa datat e mbajtjes së festivalit janë zhvendosur në gusht të vitit 2024.

Kjo është bërë e ditur nga menaxhmenti i festivalit të cilët kanë thënë se do t’i jepet kohë krijimit të hapësirës së re.

“Ka ardhur koha ta bëjmë një hap tjetër të madh përpara. Këtë vit, ne po bëjmë gati shtëpinë tonë të re, hapësirën e përhershme të festivalit në Bërnicë. Një vend i cili ua mundëson gjithë pjesëmarrësve ta marrin përvojën më të mirë që ata të gjithë e presin dhe meritojnë. Përjetimet e paharrueshme që i sjell ‘Sunny Hill Festival’ janë më të rëndësishmet. E pjesëmarrësit në festival e meritojnë absolutisht më të mirën”, është bërë e ditur në deklaratën e Sunny Hill Festival.

Ndërsa është theksuar se edicioni i radhës do të mbahet në fundjavën e parë të gushtit 2024.

“Ne besojmë se nxitimi i procesit të punës do të zvogëlonte cilësinë dhe esencën e asaj që Sunny Hill Festival e përfaqëson. Duke qenë edhe vet fansa të muzikës dhe festivaleve, ne besojmë shumë në ofrimin e përvojës unike dhe të jashtëzakonshme që ne si festival duhet ta ofrojmë. Prandaj, kemi marrë vendimin e vështirë për ta shtyrë edicionin e sivjetmë të Sunny Hill Festival, që t’i japim kohë krijimit të hapësirës së re. Ruani datat për një edicion masiv të Sunny Hill Festival në fundjavën e parë të gushtit 2024”, është theksuar në deklaratë.

Sunny Hill Festival është një prej pesë festivaleve më të mira dhe më të ndjekura në Evropë.

/TV Malisheva

Share.