Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka reaguar për protestën e sotme të pjesëtarëve të njësive elitare të Policisë së Kosovës para Qeverisë së Kosovës.

Azemi ka thënë se shteti po i lë në rrezik ata që e mbrojnë vendin. Ai shkruan se mësuesit, mjekët, minatorët, zjarrfikësit e policët janë të pakënaqur dhe potencon se pushteti pakënaqësive të tyre po iu përgjigjet më shpërfillje ose duke tentuar t’i shtypë.

Reagimi i plotë:

ATA MBROJNË VENDIN, SHTETI I LË NË RREZIK

Kjo qeveri ka treguar aftësi vetëm në krijimin e pakënaqësive. Të pakënaqur mësuesit, mantelbardhët, minatorët, zjarrfikësit, policët e kush jo tjetër. Kërkesave të krejt këtyre, ky pushtet iu përgjigjet ose me shpërfillje e injorim ose duke tentuar t’i shtypë.

Sot, para zyreve të këtij ekzekutivi protestuan edhe njësitet më elitare të Policisë së Kosovës. Për herë të parë kjo qeveri i detyroi të dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësi. Ata, me punën e guximin e të cilëve zyrtarët më të lartë të shtetit krenohen përditë. Madje, tentojnë që t’i marrin edhe meritat e tyre, edhe kur ata vënë jetën në rrezik. Por, jo edhe të ua paguajnë siç duhet e sa duhet shtesën e rrezikshmërisë. Nuk ua përmbushin kërkesën më bazike. Veç ua përkeqësuan gjendjen. Po i lënë në baltë. Po i lënë midis rrezikut. E turpshme. E papranueshme.

/TV Malisheva

Share.