Gareth Bale u stërvit i vetëm në Madrid të martën, pasi nuk është përfshirë në skuadrën e Real Madridit për udhëtimin në Gjermani, ku po vazhdon turneu parasezonal i madrilenëve.

Real Madridi bëri të ditur të hënën se Bale nuk ishte stërvitur me grupin kryesor të lojtarëve, duke punuar kështu me bashkëlojtarin e lënduar Luka Jovicin, para se skuadra të udhëtonte për në Gjermani.

Real Madridi më vonë bëri të ditur se në skuadrën e zgjedhur nga trajneri Zinedine Zidane për të udhëtuar në Munih për “Audi Cup” nuk merrte pjesë edhe Bale, përkundër që në listë ishin të përfshirë plot 24 lojtarë.

Megjithatë, sot, 30-vjeçari e shpërndau në rrjetet e tij sociale një vit të veten, duke i promovuar fanellat e reja të dyta të Real Madridit për sezonin 2019/20.

Uellsiani është përfolur për një transferim të klubi kinez, Jiangsu Suning, në një marrëveshje me pagë prej 1 milionë funteve në javë. Mirëpo, kjo marrëveshje dështoi gjatë fundjavës që shkoi.

Jiangsu Suning e transferuan Ivan Santinin nga Anderlechti të hënën, duke e pamundësuar kështu transferimin e Bale, pasi që nuk u lejohet të transferojmë më lojtarë të huaj në klub.

Duke folur për Sky Sports, menaxheri i Bale, Jonathan Barnett, tha: “Çfarëdo lajmi që sugjeron se Bale dhe familja e tij ishin arsyeja pse marrëveshja dështoi është plotësisht i rremë”.

Marca raportoi të dielën se familja e Bale e bllokoi transferimin në Kinë, duke u thënë përfaqësuesve të tij të kërkojnë për të tjera klube të interesuara, mirëpo kusht ishte që të jenë në Evropë.

Raportet e tjera sugjerojnë se presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, e ndërroi mendjen e tij në minutën e fundit, para se t’i tregonte Jiangsu Suningut se ata s’mund ta marrin Bale falas.

Bale, i cili e ka fituar katër herë trofeun e Ligës së Kampionëve me gjigantin spanjoll, është i vetëdijshëm se e ka rrugën e lirë për t’u larguar nga Real Madridi gjatë kësaj vere, pasi që ai nuk është pjesë e planeve të Zinedine Zidane.

Share.