Arkeologët bullgarë kanë gjetur atë që ata besojnë se është qyteti më i vjetër në Evropë, një qendër e prodhimit të kripës të quajtur Solnica* (Solnitsa) pranë qytetit modern Provadia në Bullgari. Qyteti 6-mijëvjeçar sipas studiuesve kishte 350 njerëz apo pak më shumë, por me sa duket ka qenë shumë i pasur, sepse furnizonte me kripë pjesën më të madhe të Gadishullit Ilirik, Ballkanit të sotëm dhe Evropës. Qyteti ishte funksional më shumë se 1000 vjet para fillimit të qytetërimit grek*, siç e njeh historiografia e derisotme evropiane.

Mbetjet e Solnicës janë datuar me karbon se janë të lashta nga periudha mes viteve 4.700 deri në 4.200 para erës sonë, por prodhimi i kripës në vend filloi që në vitin 5400 p.e.s., sipas arkeologut Vasil Nikollov nga Instituti Kombëtar i Arkeologjisë i Bullgarisë. Vendi ka burime që përmbajnë nivele të larta kripe, rreth 160 deri në 190 gram kripë për litër. Banorët përdornin enë qeramike të lëmuara përafërsisht me diametër rreth 16-18 inç për të zier ujin e kripur në ambiente të posaçme, duke avulluar ujin dhe duke lënë pas një bllok kripe të gatshëm për tregtim me ushqime dhe mallra të tjera. Një koleksion prej më shumë se 3000 objektesh ari të zbuluara në një varrezë afër qytetit të sotëm Varna (njëri nga emrat më të lashtë të këtij qytet ka qenë Odesa) mund të ketë përfaqësuar një pjesë të pasurisë së fituar nga tregtia me kripë, e cila ishte një përbërës i domosdoshëm i dietës së të gjithëve, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve.

Mbetjet e qytetit përfshijnë rrënojat e shtëpive dykatëshe, një grup gropash që besohet se janë përdorur për rituale, mure të fortifikuar dhe pjesë të një porte.

“Në një kohë kur njerëzit nuk i njihnin ende karrocën dhe makinat, këta njerëz tërhoqën gurë të mëdhenj dhe ndërtuan mure masive,” tha arkeologu bullgar Nikollov për agjencinë e lajmeve AFP. “Pse? Çfarë fshihnin pas këtyre mureve mbrojtëse të tyre? Përgjigja ishte: KRIPA.”

*Deri më sot nuk ka të dhëna se si është quajtur ky vendbanim në lashtësinë më të hershme, përveç emërtimit sipas arkeologëve bullgarë të kohës sonë.

Poshtëshënim:

Në lidhje me praninë e përhershme të shqiptarëve në këtë rajon, nga antika e hershme deri në shek. XIX, mund ta lexoni shkrimin tim me titull: KATUNDI SHQIPTAR DOBRINA* NË BULLGARINË VERILINDORE

 

/TV Malisheva

Share.