Klubi i basketbollit Vëllaznimi do të jetë pjesë e Superligës së Kosovës nga sezoni i ardhshëm. Kjo pasi skuadra nga Gjakova është shpallur kampion në Ligën e Parë dhe atë me një sukses të jashtëzakonshëm duke regjistruar 22 fitore nga 22 ndeshjet kampionale.

Rruga për të arritur këtë objektiv nuk ishte fare e lehtë, por synimi për t’u rikthyer në elitën e basketbollit vendor vetëm pas një viti, ishte vendosur që në nga fillimi i sezonit

Kapiteni Driton Rraci, thotë sezoni që u mbyll ishte jashtëzakonisht i suksesshëm duke iu falënderuar punës së mirë të bërë nga e gjithë skuadra më në kryetrajnerin Shkumbin Kumnova i cili erdhi në krye të klubit në pjesën e dytë të sezonit për të krijuar një unitet në grup që më pas edhe solli rezultatet e pritura.

Driton Rraci: Ka qenë një sezon i jashtëzakonshëm për ne

“Ka qenë një sezon shumë i suksesshëm për ne. Siç e dimë sezonin e parë ka qenë trajner Franko Sterlo i cili e ka bërë një punë shumë të mirë, por pas sezonës parë ka ardhur në krye trajneri Shkumbin Kumnova. Edhe me trajnerin në vijim kemi bërë një punë shumë të mirë ku siç e dini nuk kemi asnjë humbje, prej 22 ndeshjeve i kemi 22 fitore…Në pjesën e parë nuk është se ka pasur ndonjë kualitet shumë të madh por në pjesën e dytë jemi forcuar të gjitha ekipet e Ligës së Parë sepse synimi ka qenë për të hyrë në Superligë ku siç e dini në play-off ne edhe pse ishim në vend të parë duhej t’i fitonim dy ndeshje për të hyrë në Superligë dhe në finale e kishim lojën më Prishtinën e Re ku edhe në Prishtinë e mposhtëm”, tha fillimisht Rraci.

Rraci tha se synimi i Vëllaznimit për të hyrë në Superligë ishte vendosur si objektiv që në fillim të sezonit. Tashmë që kjo është arritur, në Superligë synojnë që të jenë befasi dhe të qënrojnë gjatë në kategorinë superiore të basketbollit.

Raci: Synojmë që të befasojmë më paraqitje të mira edhe në Superligë

“Prej fillimit deri në fund e kemi pasur synimin për të hyrë në Superligë sepse aty e kemi vendin… Liga e parë me Superligën është një dallim shumë i madh. Siç e dimë në Ligën e Parë fondi është shumë më i vogël në krahasim me Superligë. Në Superligë investimet investimet janë shumë më të mëdha. Unë shpresoj që edhe në Superligë do të vazhdojmë mirë fal kryesisë dhe bordit të klubit të cilët e kanë dhënë maksimumin për ku jemi sot sepse po nuk e pate një buxhet të mirë edhe prej Ligës Parë nuk do të mund të hynim në Superligë”, tha Rraci.

Si sukses të madh rikthimin në Superligë e ka cilësuar edhe trajneri i Vëllaznimit, Shkumbin Kumnova, por pas kësaj, ai sheh nga e ardhmja dhe tashmë ka caktuar objektivin e skuadrës së tij, derisa ka paralajmëruar rivalët se ky klub do të jetë një “arrë e fortë” për çdo skuadër, sidomos në qytetin e Gjakovës.

Kumnova ka thënë se para se gjithash, klubi ka nevojë edhe për stabilitet financiar si dhe për përforcime të reja.

Kumnova: Gjakova do të jetë arrë e fortë për rivalët në Superligë

“Së pari duhet t’i përvishemi punës, të gjejmë mjete materiale, do të thotë çështjen ekonomike, pastaj na nevojiten disa përforcime vendore, përforcime të jashtë, të jenë kualitative si dhe përforcim në shtabin teknik… Objektivat tanë së pari të organizohemi mirë dhe të mos biem nga liga, do të thotë të mos jetë Vëllaznimi vetëm për një sezon në Supërligë por të jetë më gjatë në Superligë… Gjakova ka simpatizantë shumë të mirë. Ju ndoshta e keni parë ndeshjet për play-off kur salla ka qenë gati e mbushur e gjitha dhe unë ju premtoj që nëse organizohemi mirë, unë besoj që Gjakova do të jetë një arrë e fortë për shumë ekipe këtu në Gjakovë”, ka thënë Kumnova.

Me optimizëm shumë të madh sa i përket stabilitetit financiar të klubit flet drejtori sportiv i Vëllaznimit, Ideal Bakija. Ai thotë se serioziteti i treguar nga klubi deri më tani është arsyeja pse bizneset e Gjakovës duhet ta mbështesin financiarisht këtë klub, derisa ka shtuar se pret bashkëpunim të ngushtë edhe më Komunën e Gjakovës në këtë drejtim sepse klubi synon që të qëndrojë për shumë vite në elitën e basketbollit të Kosovës.

Bakija: Komuna dhe bizneset e Gjakovës duhet ta mbështesin Vëllaznimin

“Momentalisht Vëllaznimi si klub dhe unë personalisht jemi shumë ambiciozë dhe nuk arrijmë të jemi të kënaqur maksimalisht. Në mendojmë që kemi hapësirë për përmirësim dhe momentalisht financiarisht jemi stabil por do të na duhet një përkrahje shtesë për Superligë, por mendojmë që me hapjen e sallave publiku do të japë një mbështetje të madhe dhe mendojmë që me seriozitetin që e kemi treguar këto vitet e fundit besoj që përkrahje financiare nga bizneset e qytetit nuk do të mungojë… Deri më tani Komuna gjithmonë i ka pasur dyert e hapura për ne edhe e falënderojmë shumë për mbështetjen. Besoj që do të hasim prapë në mirëkuptim që ata të na mbështesin sepse ne nuk e përfaqësojmë vetëm KB Vëllaznimin por e përfaqësojmë edhe Gjakovën”, ka thënë Bakija.

Kërkesave të drejtuesve të klubit për mbështetje financiare nga Komuna iu është përgjigjur menjëherë kryetari Ardian Gjini.

Ai ka siguruar se për Vëllaznimin se do të gjenden alternativa dhe do të shikohen të gjitha mundësitë që të sigurohet mbështetja financiare në mënyrë që klubi të jetë i qëndrueshëm financiarisht dhe të ketë paraqitje edhe më të mirë sezonin e ardhshëm në Superligën e Kosovës.

Gjini: Komuna do të bëjë gjithçka për ta mbështetur Vëllaznimin

“Stafi udhëheqës, trajnerët dhe kryesisht djemtë që kanë luajtur na kanë bërë krenarë të gjithëve. Jam shumë i lumtur që Vëllaznimi në basketboll kthehet në Superligë, e ka vendin aty. Është një punë e gjatë, një punë e kujdesshme e të gjithë këtyre djemve që janë aty. Komuna do ta bëjë pjesën më të mirë të mundshme të vetëm për ta mbështetur klubin. Do të gjejmë edhe rrugë alternative, do t’iu ndihmojmë edhe të komunikojnë më bizneset lokale të cilat janë rritur seriozisht që t’i ndihmojmë bazuar në ligjin për sponzorizime i cili sot është në fuqi dhe mendoj që tani Vëllaznimi në basketboll ka marrë krahë, do të jenë edhe më të mirë se sa që kanë qenë në këtë sezon të jashtëzakonshme në Ligën e Parë”, ka thënë Gjini.

Ndryshe, Vëllaznimi është një klub me traditë shumëvjeçare në basketbollin e Kosovës. Ai u themelua në vitin 1948 dhe pas formimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës për shumë vite ishte pjesë e Superligës. Klubi mbështetet nga grupi i tifozëve “Kuqezinjtë e Jakovës”.

/TV Malisheva

Share.