Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, u takua në Bruksel me Fernando Andresen Guimaraes, këshilltar diplomatik i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilin ka biseduar mbi procesin e integrimit evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Bislimi me këtë rast përmendi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili do të ndodhë para fundit të këtij viti dhe vjen si rezultat pozitiv i përkushtimit dhe angazhimit të Kosovës konform vlerave e standardeve evropiane, si dhe mbështetjes së fuqishme qytetare ndaj BE-së dhe proceseve integruese.

“Kosova po bën progres në rrugëtimin e saj drejt BE-së, i cili po kurorëzohet me një hap të radhës formal i cili është aplikimi për anëtarësim. Kualiteti dhe avancimi i institucioneve tona është më i lartë se ai i vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në momentin kur kanë aplikuar për anëtarësim në BE”, tha Bislimi.

Ndërsa, këshilltari i presidentes Von der Leyen, Fernando Guimaraes tha se progresi i bërë nga Kosova gjatë këtij viti është i dukshëm, i riafirmuar dhe nga raporti për vendin 2022. Gjithashtu, shtoi se presidentja Von der Leyen është e përkushtuar plotësisht ndaj rrugëtimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se përparimi i Kosovës në sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, politikat sociale, zhvillimin ekonomik e demokratizimin janë incentiva dhe imperativë të suksesit dhe qasjes serioze të Qeverisë në përafrimin me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian.

 

Share.