Sekretari amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken ka uruar Kosovën në 14-vjetorin e shtetësisë së saj.

Ai ka përgëzuar popullin e Kosovës duke thënë se partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës i ka rrënjët në vlerat demokratike të përbashkëta.

Ai tutje tha se janë krenarë ta mbështesin shtetin e Kosovës.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e përgëzoj popullin e Kosovës përderisa festoni përvjetorin tuaj të katërmbëdhjetë si shtet sovran e i pavarur. Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në vlerat demokratike të përbashkëta. Si një ndër demokracitë më të reja në botë, Kosova dhe qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për përparimin e arritur gjatë këtyre 14 viteve.

Nga ana jonë, jemi krenarë që ju mbështesim në këtë ndërmarrje. Përderisa pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme dhe të pacenueshme, ndërtimi i institucioneve të fuqishme demokratike dhe gjithëpërfshirëse që iu shërbejnë të gjithë qytetarëve kërkon vendosmëri. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Kosovës përderisa ajo punon për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj”, ka uruar Blinken.

Ai ka thënë se mirëpresin që me të drejtë Kosova ta zë vendin e saj përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Sekretari amerikan i shtetit ka theksuar se mbështetin dialogun e lehtësuar nga BE-ja si mënyrë për të arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruar në njohje reciproke.

“Ne mirëpresim që Kosova me të drejtë të zë vendin e saj përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe theksojmë mbështetjen tonë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja si mënyrë për të arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruar në njohje reciproke.

Ne jemi mirënjohës për lidershipin e Kosovës përtej kufijve të saj – për bujarinë tuaj në pritjen e afganëve të pambrojtur dhe kontributin tuaj për sigurinë dhe stabilitetin global. Popullit të Kosovës i uroj paqe, prosperitet dhe shëndet përderisa vazhdoni udhëtimin tuaj demokratik dhe përderisa, bashkërisht, e forcojmë edhe më tej miqësinë tonë të palëkundur”, ka përfunduar urimin Blinken.

/TV Malisheva

Share.