Sulmuesi i Kombëtares shqiptare dhe i Chelseat, Armando Broja, ka dhënë një intervistë për revistën prestigjioze “World Soccer” ku ka folur për karrierën e tij, procesin e rikuperimit nga dëmtimi, vizionin e tij, por edhe për marrëdhëniet me trajnerin e ri të Shqipërisë, Sylvio Mendes Campos Junior.

Broja është i bindur se me talentin që ka Shqipëria mund të arrijë të luajë në finalet e turneve më madhore në planet siç janë Evropiani dhe Botërori, teksa në nivel personal nuk i vendos limite vetes dhe synon të arrijë majat.

Ai fillimisht foli për rikuperimin e tij nga lëndimi duke thënë se së shpejti do t’i rikthehet punës në palestër.

“Po rikuperohem shumë më shpejt nga sa pritej. Të jem në gjendje të kthehem në palestër dhe të punoj me ushtrime force ka qenë një shtysë e madhe për mua pasi isha i detyruar të qëndroja në shtrat dhe të kaloja më shumë kohë në fizioterapi gjatë javëve të para pas operacionit. Ishte periudha më e vështirë. Isha në regjim shtrati për rreth gjashtë javë dhe nuk mund të bëja asgjë, kështu që jam i lumtur që e kam kaluar tashmë atë fazë. Vrapimi dhe ndryshimi i drejtimit do të vijnë gjatë muajve të ardhshëm, gjëra për të cilat po punoj aktualisht, por po tregohemi shumë të kujdesshëm që të mos nxitojmë shumë.”, tha Broja.

Tutje sulmuesi kuq e zi foli edhe për blerjet e reja që ka bërë Chelsea, për të cilat tha se do ta rrisin cilësinë e skuadrës.

“Sigurisht që ka shumë fytyra të reja në klub. Por të gjithë janë djem fantastikë dhe janë përshtatur shumë shpejt. Ka pasur ndryshime të mëdha në klub në të gjitha fushat dhe, natyrisht, do të duhet kohë për t’u vënë gjërat në vijë dhe për t’i vendosur të gjithë në të njëjtën rrugë e për të ecur përpara. Është e rëndësishme të shtosh cilësi në skuadër dhe të aktivizosh atë konkurrencë për çdo pozicion në fushë. Kjo është diçka e domosdoshme për të pasur sukses e për të qenë mes klubeve më të mira, duke pasur dy ose tre lojtarë të klasit botëror në çdo pozicion për t’i shtyrë të gjithë në maksimumin e potencialit të tyre, dhe unë mendoj se ne i kemi elementët. Jam i sigurt se do t’i shohim përmirësimet shumë më shpejt nga sa mendohet nëse qëndrojmë të gjithë së bashku.”, theksoi Broja.

Lidhja e tij me Chelsean së fundi u vazhdua me një kontratë gjashtë vjeçare dhe Broja ndihet krenar me besimin e dhënë nga skuadra londineze.

“Patjetër. Kjo duket se është filozofia e pronarëve të rinj, planifikimi i të ardhmes dhe është një nder shumë i madh që më kanë besuar si një pjesë e rëndësishme e klubit. Chelsea më ka mbështetur shumë në karrierë dhe tani më takon mua t’ia shpërblej këtë besim. Sapo të kthehem nga dëmtimi, ky është qëllimi im më i madh afatshkurtër, për ta provuar këtë dhe do të më duhet të shfrytëzoj çdo mundësi që më del përpara.”, tha ai.

Ai më pastaj foli edhe për idhujt e tij të cilat janë Ronaldo (brazilianiu) dhe Cristiano Ronaldo.

“Kanë qenë gjithmonë dy për mua: Cristiano Ronaldo dhe R9 [Ronaldo]. Çdo fëmijë donte të bëhej si Kristiano Ronaldo kur unë isha i vogël. Ai është një lojtar kaq i mrekullueshëm dhe ka qenë gjithmonë një frymëzim për mua e jam përpjekur ta imitoj teksa rritesha. Ndjehem sikur kam disa aftësi të ngjashme fizike me të dhe duke e vëzhguar vazhdimisht mendoj për përmirësimet që mund t’i bëj lojës time. Por R9 ishte ndikimi më i madh. Nuk munda ta shoh dot kurrë në fushë duke luajtur një ndeshje, por babai im më tregonte gjithmonë video të tij duke luajtur dhe më tregonte gjithçka për të. Babai donte që unë të isha një sulmues i ngjashëm me Ronaldon – aftësitë e tij, golat, prekja e topit – ai ishte sulmuesi i kompletuar. Luante me këmbën e majtë, me këmbën e djathtë, kishte shpejtësi, forcë, finalizim dhe shumë i aftë në ndërtimin e lojës. Unë mund të kaloj vite me radhë duke parë videot e tij në YouTube teksa luante si një “bishë”, shtoi Broja.

Broja foli edhe për mardhënjen e tij me traneri e Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, për të cilin thotë se ka ide të qarta se ku d2ëshiron ta dërgojë kombëtaren.

“Po, kemi folur disa herë dhe ai erdhi në Angli për të më takuar. Ai është një person shumë i mirë dhe ka një vizion të qartë e të drejtpërdrejtë se ku dëshiron ta çojë ekipin. Është shumë inkurajuese. Ai ndan ambicien time për të shkuar në finalet e një Botërori dhe Europiani me Shqipërinë, por ne nuk kemi asnjë iluzion për faktin se ky objektiv do kohën e vet. Ashtu si edhe te Çelsi, duhet durim për t’i sjellë të gjithë në të njëjtën rrugë kur ka ndryshime në dhomat e zhveshjes, por nuk kam asnjë dyshim se Sylvinho do të ketë një ndikim të madh dhe pozitiv në ekip. Ka disa talente interesante që janë bërë pjesë e Kombëtares shqiptare, njerëz si ju, Kristjan Asllani, Marash Kumbulla dhe Nedim Bajrami.”, tha Broja.

Duke folur për objektivat e tij, Broja tha se synon finalet e një Botërori me Shqipërinë, Ligën e Kmapionëve me Chelsean dhe Topin e Artë në nivel personal.

“Kam pasur gjithmonë besim për të synuar sa më lart dhe të kem objektivat më të mëdhenj të mundshëm për të arritur. Nuk ka kuptim t’i vendosësh vetes objektiva të ulët që mund të arrihen lehtësisht. Në aspektin ekipor, objektivi im kryesor është të ndihmoj Shqipërinë të arrijë në finalet e një Botërori dhe të ndihmoj klubin të fitojë trofeun e Champions League. Në nivel personal, gjithmonë kam ëndërruar të fitoj Topin e Artë. Të gjithë mendojnë se kjo do të ishte një arritje e çmendur, por nuk do ta përjashtoja kurrë si opsion nëse vazhdoj të qëndroj në nivele të larta dhe të punoj shumë. Sigurisht, duhet të zhvillohem dhe të përmirësohem edhe më shumë, por nuk kam dyshim se është në dorën time të arrij një objektiv të tillë.”, tha në fund ai.

/TV Malisheva

Share.