25 maji tanimë do të mbahet gjithmonë në mend për futbollin shqiptar, ku organizimi me sukses i finales së parë të Ligës së Konferencës, gara më e re e UEFA-s që u zhvillua në Tiranë, e vendosi Shqipërinë në qendër të Evropës e botës.

Çdo gjë shkoi siç ishte planifikuar dhe organizimi ishte tejet i mirë, duke marrë vlerësimet më të larta edhe nga vetë qeveria e futbollit evropian, përcjellë TV Malisheva.

Tani, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin përmes një letre e ka falënderuar presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, për organizimin me sukses të këtij eventi.

Po ashtu, Ceferin tregoi emocionet e asaj nate, teksa tha se finalja ishte prova e fundit për Tiranën, si zgjedhja e duhur për këtë event.

Më poshtë e gjeni letrën e Ceferin drejt Dukës.

“I dashur President, i dashur Armand,

Faleminderit për pritjen e finales së edicionit të parë të UEFA Conference League në Tiranë. Dua të përgëzoj Federatën Shqiptare të Futbollit dhe juve për organizimin me sukses të një eventi kaq prestigjioz dhe sfidues. Nuk do t’i harroj kurrë emocionet e tifozëve kur në fushën e stadiumit “Arena Kombëtare” në Tiranë zbritën lojtarët e Romës dhe Feyenoord. Një valë kaq unike, elektrizuese e energjisë pozitive që u dha zemër të gjithëve, edhe atyre me më përvojë.

Kjo ishte prova e fundit që Tirana ishte zgjedhja e duhur për këtë rast historik. Një qytet tërheqës kulturalisht, modern, shumë mikpritës për gjithkënd ishte vendi i përsosur për finalen inaguruese të një kompeticioni ndërkombëtar të shumëpritur.

Më qartë, ju falënderoj i dashur Armand për mbështetjen tuaj të pakushtëzuar në muajt përpara turneut. Uroj që ju dhe Federata Shqiptare e Futbollit të ruani të njëjtën energji dhe pasion në të ardhmen. Shpresoj që kjo finale do të jetë një ngjarje historike për Shqipërinë dhe rritjen e futbollit në vendin tuaj.

Sinqerisht,

Aleksander Ceferin”, shkruante në letrën e Ceferin.

Finalen e këtij edicioni të Ligës së Konferencës e fitoi skuadra italiane, AS Roma, e cila e mposhti skuadrën e Feyenoord me rezultat minimal 1:0.

/TV Malisheva

Share.