Në kuadër të aktiviteteve për “Ditët e Diasporës”, në Komunën e Vushtrrisë, OJQ “ART Without Limit” ka shfaqur katër filma të metrazhit të shkurtër dhe dhjetë fotografi të personave me nevoja të veçanta.

Në natën e tretë të aktivitetit “Ditët e Diasporës”, regjisori Burim Haliti tregoi për EO se janë shfaqur edhe dy filma të tij.

Ai falënderoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporën për përkrahjen e këtij aktiviteti, ndërsa Komunën e Vushtrrisë për lirimin e hapësirave.

Haliti tha se me këta filma ka arritur t’i shfaqë në shumë shtete të botës e duke fituar edhe çmime.

“Jam shumë i lumtur që Vushtrria është një prej vendeve që artin, kulturën dhe kinematografinë e ka të zhvilluar dhe publikun e shoh të përgatitur për çdo temë”, tha ai, ndërsa shtoi se filmat janë shfaqur në Prishtinë dhe Ferizaj.

“Filmat që janë duke u shfaqur janë filma me regji timen, filma me të cilat kemi pasur disa suksese ndërkombëtare, që janë shfaqur me mbi 200 festivale nëpër botë dhe kemi rreth 40 çmime që i kemi fituar me këto filma”, tha Haliti.

E drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Medina Bunjaku, tha se filmat që u shfaqën sonte janë me çmime OSCAR.

Tutje, ajo tha se aktivitetet “Ditët e Diasporës”, përmbyllen të enjten me koncertin e Elita 5.

“Sot jemi në ditën e tretë të aktiviteteve në kuadër të ‘Ditëve të Diasporës’. Siç po e shihni jemi pranë ekspozitës së shfaqur nga regjisori Burim Haliti, ku janë duke u shfaqur edhe disa filma nga ai. Filma që nuk janë parë më herët e që janë filma me çmime të OSCAR”, tha Bunjaku.

/TV Malisheva

Share.