Federata e Futbollit e Kosovës e ka shprehur pikëllimin lidhur me lajmin për vdekjen e ish-futbollistit dhe trajnerit të njohur Maksut Maksuti, të cilin e cilësoi si njeri të urtë e të palodhshëm në punën e tij.
Ish-futbollisti i Gjilanit dhe ish-trajneri i klubit të Dritës, Maksut Maksuti, ka ndërruar jetë sot, në moshën 73 vjeçare.
Maksuti ishte njëri ndër futbollistët më të njohur që ka pasur qyteti i Gjilanit, ndërsa ishte edhe futbollist i ekipit të Kosovës gjatë viteve të 70-ta dhe profesor i edukatës fizike.
“Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj pedagogut të nderuar, Maksut Maksuti, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta”, thuhet në telegramin e FFK-së.
“Maksut Maksuti ishte njëri nga futbollistët më të spikatur në rininë e tij në qytetin e Gjilanit, teksa falë talentit të tij ishte edhe pjesë e Përzgjedhjes së Kosovës në vitet e 70-ta”.
“Edhe pasi e braktisi fushën e lojës ai vazhdimisht ishte afër futbollit, duke dhënë kontributin e tij edhe si trajner, teksa u shqua edhe si profesor i dashur i kulturës fizike në edukimin e brezave të shumtë në qytetin e Gjilanit”
“Maksuti njihej si njeri i urtë, i palodhshëm në punën e tij dhe me vlera të mëdha, andaj si i tillë do të kujtohet përherë”
“Vdekja e tij është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për komunitetin e futbollit në përgjithësi, andaj edhe një herë pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës dhe pushoftë në paqe!”
Ai ishte i shtrirë në Repartin e Infektivës në Spitalin e Përgjithshëm Gjilanit, tash e disa ditë, pasi kishte rezultuar pozitiv me COVID-19.