Humbja në Bergamo i ka kushtuar Napolit eliminimin nga Kupa e Italisë, ndërsa presidenti Aurelio De Laurentiies ka mbetur mjaft iu zhgënjyer me ndeshjen e të tijve dhe është larguar para kohe nga “Gewiss Stadium”.

Bosi i klubit napolitan duket se nuk ka më të njëjtën simpati si në fillim për Gennaro Gattuson dhe jo vetëm që nuk i ka ofruar rinovimin e kontratës që skadon në fund të sezonit, por nuk po e mbështet aspak në menaxhimin e situatës.

Këtë fundjavë napolitanët do të luajnë një tjetër ndeshje të rëndësishme, atë ndaj Juventusit në “Diego Armando Maradona”, ku çdo rezultat tjetër përveç fitores, do ta nxirrte ekipin edhe nga gara për titullin kampion.

Atmosfera te Napoli është mjaft e ftohtë dhe trajnerit Gennaro Gattuso i duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesat e futbollistëve si Koulibaly, Manolas, Demme, Mertens e Hysaj.

Shumë në Itali mendojnë se eksperienca e Gattusos te Napoli mund të përfundojë menjëherë pas ndeshjes me Juventusin, nëse skuadra humb sërish, teksa De Laurentiis ka piketuar edhe emrat e mundshëm që mund ta pasojnë.

Bëhet fjalë për Rafael Benitez dhe Walter Mazzarrin, të dy trajnerë të papunë, që e njohin mirë ambientin në Napoli dhe do të mirëprisnin një rikthim, megjithatë që të dy preferojnë më shumë ta marrin drejtimin e ekipit në verë, jo në këtë moment tranzitor.

/TV Malisheva

Share.