Superliga bëhet gati të ulë siparin e një sezoni të vështirë dhe të çuditshëm, ashtu si në të gjithë Botën. Të mërkurën luhet java e 36-të dhe e fundit e edicionit 2019/2020 për kampionatin elitar të futbollit në vend por pesë sfidat e mbetura vlejnë vetëm për statistika. Kjo pas me përfundimin e ndeshjeve të së premtes për xhiron e 35-të të Superligës u dhanë edhe verdiktet e mbetura.
Me titullin kampion dhe biletën e Champions, Tirana mund të përqëndrohet vetëm te finalja e Kupës, ndërsa në Ligën e Europës do të luajnë Kukësi, Laçi dhe Teuta. Durrsakët e mbyllën në vendin e katërt, por si finalistë të Kupës, e kanë të sigurtë kualifikimin në turneun e dytë për nga rëndësia të futbollit europian për klube. Shumë pak për skuadrën që nisi sezonin si kampione në fuqi, por Partizani mund të gëzohet se shpëtoi nga zona e “play-out”. I njëjti diskutim për Bylis, ndërsa Skënderbeu nuk arriti të sigurojë një vend në Europë. Korçarët gjithsesi nuk mund të merrnin pjesë për shkak të dënimit, por gjithsesi mund ta reduktonin atë.
Sfidën direkte për “mbijetesë” do ta luajë Vllaznia, që në këtë sezon plot dyshime dhe kriza arriti të lerë poshtë vetes vetëm Flamurtarin dhe Luftëtarin, që kishin prerë herët biletën për të zbritur në Kategorinë e Parë. Nuk mbetet asnjë objektiv kolektiv, por gjithsesi, java e fundit e Superligës do të përcaktojë garën personale mes Vasil Shkurtaj dhe Kiran Nnaubueze për trofeun e “Këpucës së Artë” për golashënuesin më të mirë të sezonit.