Nga sot është e hapur thirrja për aplikim në programin “Qeveria për familjet”, masë kjo që parasheh të punësojë një person për çdo familje, e cila nuk e ka asnjë të punësuar. Qeveria e Kosovës do të subvencionojë bizneset deri në 70% të pagës bruto për çdo të punësuar, maksimum 300 euro për gjashtë muaj me radhë.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati sipas së cilit qëllim i kësaj mase është të rritet numri i vendeve të punës dhe mirëqenia për të gjithë qytetarët.

Murati ka bërë të ditur se personat e angazhuar përmes kësaj skeme përbejnë jo më shumë se 30% të stafit ekzistues të një biznesi.

Murati: Qeveria mbështet bizneset me 70% të pagës bruto

“Kemi ndërmarrë edhe masën qeveria për familjet, e cila do të mundësojë që bizneset që janë të interesuar të punësojnë mbajtës të familjes, siç do të quaja, të punësojnë dikë nga familjet që nuk kanë asnjë të punësuar t’i mbështesim me 70% të pagës bruto, pra subvencionimi është deri në vlerën 300 euro, paga mund të jetë më e lartë, mund të jetë 400, 500, 600 por subvencionimi është 70% e pagës deri maksimumi subvencionim 300 euro… Synimi është që të mbështeten familjet që nuk e kanë asnjë të punësuar sepse duam të sigurohemi si shtet, si qeveri që të fillojmë nga ata që kanë më së shumti nevojë , pra në momentin që jemi siguruar që të gjithë që kanë nevojë të gjitha familjet e kanë një të punësuar, pastaj mund të shohim edhe më tutje edhe për kategori të tjera”, ka thënë Murati në një konferencë për media.

Ai ka thënë se personat e interesuar për punësim dhe bizneset duhet të lajmërohet në zyrat e Agjencisë së Punesat të Republikës së Kosovës(APRK).Aty duhet të ofrojnë kopjen e certifikatës së bizneset apo OJQ-së, atë të letërnjoftimit të pronarit dhe listën e të punësuarve të vërtetuar nga ATK-ja.

Ndërsa të interesuarit për punësim duhet të paraqesin kopjen e letërnjoftimit, atë të certifikatës më të lartë të edukimit dhe një CV.

Murati: Të papunët që lajmërohen në zyrat e punësimit dhe të tregojnë çka mund të punojnë

“Bizneset që duan të punësojnë mbajtës të familjes, me anë të kësaj mase të përfitojnë nga subvencionimi i pagës 70% duhet të lajmërohen në zyrat e agjencisë së punës në Republikën e Kosovës, dhe të tregojnë për numri ne stafit dhe çfarë pozita ju duhen dhe cilat janë kualifikimet dhe në anën tjetër ata persona që mund të konsiderohen mbajtës të familjes, që vinë nga familje që nuk kanë asnjë të punësuar po ashtu do të lajmërohen në agjencinë e punës, në zyrat rajonale, kudo që ju vjen më afër, dhe të dorëzojnë informatat e nevojshme dhe të tregojnë se për cilat fusha janë të interesuar të punësojnë dhe kanë aftësi, në mënyrë që agjencia e punës ta bëjë këtë bashkimin në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe kësisoj të përfitohet nga kjo masë”, ka thënë ministri i Punës.

Të papunët duhet t’i përkasin grup moshës së punësimit, 18 deri 64 vjeç dhe të mos kenë asnjë anëtar të familjes të deklaruar si i punësuar në AKT.

Të njëjtit duhet të jenë të regjistruare si të papunë apo punëkërkues në APRK./TV Malisheva

Share.