Bayern Munich ka kompletuar transferimin e sulmuesit anglez Harry Kane nga Tottenham, një operacion që i kushtoi kampionëve gjermanë 100 milionë paund.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Bayernit, një prej klubeve më të mëdha në botë dhe gjithmonë kam thënë se dua të lëviz dhe të tregoj veten në nivelin më të lartë në karrierën time. Ky klub përcaktohet nga mentaliteti i tij fitues – ndihem shumë mirë që jam këtu”, tha Kane.

Kane ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare dhe mund të bëjë debutimin e tij me Bayern në Superkupën e Gjermanisë kundër RB Leipzig, por ai duhet të regjistrohet deri në orën 15:00 për t’u paraqitur në Allianz Arena.

Në një mesazh lamtumire për Tottenham, Kane tha se ishte koha e duhur për t’u larguar nga klubi – por shtoi se kjo mund të mos jetë një lamtumirë.

“Jam i trishtuar që po largohem nga klubi ku kam kaluar gati 20 vjet të jetës sime, nga një djalë 11-vjeçar në një burrë 30-vjeçar. Ka pasur kaq shumë momente të mrekullueshme dhe kujtime të veçanta që do t’i ruaj përgjithmonë. Dhe më së shumti faleminderit juve tifozëve të Tottenhamit. Që nga momenti që kam luajtur, kam qenë një nga ju dhe kam dhënë gjithçka që kam mundur për t’ju bërë krenarë dhe për t’ju dhënë sa më shumë momente dhe kujtime të veçanta që shpresoj të zgjasin përgjithmonë”, tha ai.

Presidenti i Tottenham, Daniel Levy tha se Kane do të mbetet përherë në historinë e klubit.

“Dua të falënderoj Harry-n për gjithçka që ka bërë për ne, të gjitha kujtimet, të gjitha rekordet – i urojmë atij dhe familjes së tij gjithë të mirat në të ardhmen. Kuptohet se ai është gjithmonë i mirëpritur të kthehet. Ai është një anëtar shumë i dashur dhe i vlerësuar i familjes Spurs, përgjithmonë në historinë tonë”, tha Levy.

Kane shënoi 30 gola në Premier League sezonin e kaluar në një sezon zhgënjyes për Spurs, pasi ata përfunduan në vendin e tetë duke mos arritur futbollin evropian, ndërsa ata mbeten pa një trofe që nga viti 2008.

Kane shënoi 280 gola në 435 paraqitje te Spurs, pasi e kishte shënuar të parën në dhjetor të vitit 2011.

Me 213 gola në 320 ndeshje në Premier League, atij i duhen edhe 48 gola për të thyer rekordin e Alan Shearer si golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit anglez.

/TV Malisheva

Share.