Diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger ka thënë se modeli gjermano-gjerman mund të funksionojë për Kosovën dhe Serbinë, pasi disa nga parimet e këtij modeli vazhdojnë të jenë të vlefshme edhe sot, pasi parim themelor ka reciprocitetin.

Në një intervistë për Pressing në T7,Ischinger thotë se një ide e tillë ka funksionuar në kontektstin e dy gjermanive dhe s’ka asnjë arsye që të mos funksionojë në kontekstin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ischinger shtoi se ka një përfshirje aktive në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë të Qeverisë së Gjermanisë dhe Francës, dhe sipas tij se duhet të njihet fakti që Franca është duke u angazhuar në mënyrë aktive në këtë proces dhe një gjë e tillë s’ishte parë në të kaluarën.

“Disa nga parimet themelore që ishin pas modelit gjermano-gjerman vazhdojnë të jenë të rëndësishme edhe sot. Ideja që nëse s’mund të zgjidhesh çështje shtetërore në këtë moment, çështjen e njohjes formale, të paktën të provosh të zgjidhësh çështje të tjera praktike. Si njerëzit mund të lëvizin nëpër kufij, a janë diplomat e njohura, tabelat e makinave. Çfarë për tregtinë. Dhe kjo funksionoi në kontekstin gjermano-gjerman dhe s’ka arsye që s’mund të funksionojë në kontekstin e raporteve Kosovë-Serbi. Por sigurisht draft-marrëveshja që ne kemi bërë në 2007-tën duhet të adoptohet për situatën e 2022, në një mënyrë apo tjetër dhe sigurisht tani ka një përpjekje të re të Qeverisë sonë dhe Francës për të shtyrë gjërat përpara, dhe është shumë e rëndësishme të njihet fakti që Franca po merr pjesë aktive në këto përpjekje. Unë nuk e di që Franca në të kaluarën, vitet dhe dekadat, ka qenë kaq aktivisht dhe në mënyrë proaktive e përfshirë, prandaj është mirë”, ka thënë Ischinger.

Ai thotë se modeli i dy gjermanive ka parim themelor reciprocitetin, pra që secila palë duhet të ketë përgjegjësi sikurse pala tjetër dhe shtoi se kjo është një recetë e vjetër diplomatike, që të gjendet një zgjidhje e balancuar.

Po ashtu, Ischinger tha se edhe kryeministri i Kosovës e përmend shpesh reciprocitetin dhe sipas diplomatit gjerman kjo tregon se Kurti e vlerëson atë si parim themelor në raportin mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Share.