Kualifikimet për sezonin e ri të Ligës së Kampionëve dhe Europa League do të luhen vetëm në lokacione “të sigurta”.

Sipas disa mediave që kanë burimet e tyre në UEFA, Shtëpia e Futbollit Evropian planifikon të përcaktojë disa lokacione të sigurta ku do të luhen raundet e plota kualifikuese për sezonin e ri në garën më të mirë evropiane, Ligën e Kampionëve, por edhe ato të Europa League.

Për skuadrat nga kjo pjesë e Evropës, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Qiproja përmendet si një vend “i sigurt” ku mund të luheshin të tre raundet kualifikuese në Ligën e Kampionëve dhe katër në Europa League. Vendimi do të merret së shpejti, dhe autoritetet qipriote raportohet se tashmë po bashkëpunojnë dhe po zhvillojnë bisedime me njerëzit më të mirë në futbollin Evropian.

“Ne kemi njoftuar Ministrin e Shëndetësisë dhe ka aspekte të ndryshme që duhen marrë parasysh. Mundësia e mbajtjes së disa ndeshjeve kualifikuese në vendin tonë është reale sepse Qiproja konsiderohet një destinacion i sigurt për shkak të koronavirusit”, kanë thënë nga Federata Qipriote.

Mbetet për tu parë nëse përfaqësuesit tanë në Kupat e Evropës, Sileksi, Shkëndija, Shkupi dhe Renova do të kenë paraqitjet e tyre në Qipro.

Share.