Kampi Nacional në Hajvali për herë të parë ka hapur sot dyert për akomodimin e plotë të ekipeve kombëtare të Kosovës.

Kombëtarja U17 e Kosovës në kategorinë e femrave filluar përgatitjet sot në këtë kamp, për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2023, të cilat zhvillohen në muajin mars në Francë.

Kampi Nacional tani i plotëson të gjitha kushtet për qëndrim disaditor, derisa do të jetë në shërbim edhe për grupmoshat e reja të kombëtareve në kategorinë e meshkujve dhe femrave.

Të kënaqura me kushtet që ofron Kampi Nacional u shprehën edhe futbollistet e reja sh.k, ku Sahare Berisha dhe Albina Gegaj e vlerësuan faktin që të gjitha aktivitetet zhvillohen në një vend pa pasur nevojë të humbin kohë për të bërë rrugë në ndonjë vend tjetër.

Edhe trajnerja e kombëtares së kësaj grupmoshe, Sanije Krasniqi u shpreh e lumtur për krijimin e këtyre kushteve në kamp, e të cilat u kursejnë kohë dhe ndikojnë në përgatitje sa më të mirë.

Kampi Nacional në Hajvali posedon një fushë me bari natyral dhe dy fusha ndihmëse me bari sintetik, ku edhe po i zhvillon stërvitjet Kosova U17.

Kujtojmë që Kosova U17 vitin e kaluar ka kaluar nga Liga B në Ligën A, duke shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në rrugëtimin drejt Euro 2023.

/TV Malisheva

Share.