Sulmuesi nga Shqipëria, Artur Magani edhe për një edicion do të jetë pjesë e Ipko Superligës së Kosovës.

Magani ka arritur marrëveshje transferimi tek skuadra e njohur kosovare, Ballkani.

Klubi i Ballkanit ka bindur lojtarin t’i bashkohen për edicionin e ardhshëm të Superligës së Kosovës.

Magani, i cili kishte shumë oferta në tavolinë, në fund ka vendosur të luajë tek klubi i Ismet Munishit, për shkak të afërsisë së Therandës me Shqipërinë dhe kushteve të plotësuara nga ana e klubit.

“Ballkani më plotësoi kushtet që unë kisha dhe duke parë që është më afër me Shqipërine, ku unë kam familjen – vendosa të vij këtu”, ka thënë fillimisht Magani për GazetaBlic’.

Më pas, sulmuesi theksoi se Ballkani ka një ekip të mirë dhe beson se nuk do të mposhten lehtë në edicionin e ardhshëm.

“Kemi një ekip shumë të mirë dhe jam i sigurt që do të jemi ekip që nuk do thyhemi lehtë në kampionat”, vazhdoi ai.

Në fund, Magani potencoi se dëshiron të shënojë sa më shumë në edicionin e ri.

“Ambiciet personale janë që të shënojë sa më shumë gola për të ndihmuar ekipin dhe veten”, përfundoi Magani.

Sulmuesi 25 vjeçar ishte pjesë e Lirisë dhe Feronikelit në edicionet e kaluara të Superligës së Kosovës.

Share.