Shkruan: Azem Syla

Shumë kanë marrë vrapimin drejtë flamurit dhe shumë mirë. Por flamuri i përket kombit dhe nuk qëndron në këmbë për dëshirën e individëve. Të duash flamurin kombëtar është vlerë. Të luftosh për atë flamur, është vepër e lavdishme. Por, të deklarosh se flamuri është në këmbë se isha unë, është vërtetë antivlerë.

Të luftosh për atdheun dhe çlirimin e vendit nga pushtuesi e për ta bërë popullin tënd sundimtar të trojeve të tij, është një vepër me përmasa shumë të mëdha. Por, të mendosh se këtë mund t’a bëjnë dhe e kanë bërë individët, cilët do qofshin ata, më duket për të qeshur.

Dëgjoj herë pas here luftëtarë të Luftës Çlirimtare të Kosovës, duke folur për luftën, për veprimet e kryera, për betejat, për organizimet, për fillimet e përfundimet, të cilët në të shumtën e rasteve sillen rreth vetes, sikur gjithçka që ka ndodhur është zhvilluar aty ku ka qenë ai dhe se përveç tij, të tjerët nuk kanë bërë asgjë e nuk kanë qenë askund. Ashtu sikurse dëgjoj të tillët, që edhe kur merren në intervistë për njohjen që kanë për një dëshmor, më shumë flasin për vete se sa për dëshmorin, për të cilin janë thirrur të dëshmojnë. Sinqerisht ndjej turp, kur dëgjoj biseda të tilla.

Dalin të tjerë dhe deklarohen se janë bërthama e luftës dhe se vetëm ata dhe se pa ta nuk do të ishte bërë asgjë. Të tjerë kur flasin e deklarohen vetëm si bashkëpunëtorë të dëshmorëve, sikur të gjallët nuk ekzistojnë. Dhe kjo vetëm për të shmangur dëshmitarët e bëmave të tyre. Më duket se me veprime të tilla, nuk e ngremë vlerën e vetes, përkundrazi e ulim atë. Por, ajo që është më e keqja, po e dëmtojmë shumë luftën që bëmë.

Unë e di se në një luftë të gjithë janë të domosdoshëm, të gjithë kanë vlerë, si ushtari i thjeshtë pa të cilin nuk mund të bëhet lufta, ashtu edhe gjithë hierarkia e komandantëve, pa të cilët nuk mund të funksionojë ushtria. Prandaj, vlera është shumë e madhe për secilin. Por vlera kur secili ulet në vendin e tij, kur secili merr aq sa i takon dhe pasqyron punën e të gjithë atyre në rresht me të cilët ka qenë. Jo kur, ke qenë komandant njësie e prezantohesh si komandant skuadre, sepse nuk njeh askënd përveç atyre që kanë vepruar pranë teje. Kjo është papërgjegjshmëri.

Ashtu sikurse, më duket jo normale që të gjithë thirren nga gazetarët e mediave, por dhe vetë thirren, komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sepse të tillë nuk mund të jenë. Sepse të tillë nuk mund të jenë me mijëra. Prandaj vlerësoj me vend të tërheq vëmendjen për të gjithë dhe të këshilloj, që të zënë vendin, të cilin e kanë pasur. Kur ka qenë komandant skuadre, të thotë kam qenë komandant skuadre; kur ka qenë komandant togu, të thotë kam qenë komandantë togu.

E kështu, komandant kompanie, komandant batalioni, komandant brigade, komandant zone etj. Ndërsa ata kuadro që kanë qenë nëpër shtabe, të thonë që kanë qenë specialistë në shtabin e batalionit, të brigadës, të zonës, a në Shtabin e Përgjithshëm. E rekomandoj këtë mënyrë prezantimi se dalim më serioz përpara opinionit të gjerë të shqiptarëve, por edhe përpara botës.

Me veprime dhe deklarime të tilla të pa përgjegjshme me shkrim dhe me gojë, në libra, në gazeta, në televizione e rrjetet sociale, duke menduar se jemi duke i bërë nder vetes, po dëmtohemi, po e zvogëlojmë veprën tonë të madhe – Luftën Çlirimtare të Kosovës. Po e dëmtojmë Ushtrinë tonë të lavdishme të Kosovës, pjesë e të cilës ishim dhe për të cilën duhet të jemi përjetësisht krenarë sepse e kryem detyrën mjaft mirë dhe fituam atë luftë që kishte filluar prej më shumë se një shekulli. Prandaj, këshilloj të flasim me kujdes, të tregojmë gjithë të vërtetën dhe të themi vlerat e luftës, të ushtrisë, të betejave, të operacioneve dhe të gjithë luftës, duke mos bërë zhvlerësimin e asnjë elementi të kësaj lufte.

Një çështje tjetër që dua të shtroj është, kërkesa që të heqim dorë nga trajtimi i luftës si diçka personale. Lufta i përket popullit të Kosovës, e kanë organizuar dhe e kanë kryer burrat dhe gratë e Kosovës, e kanë udhëhequr organizatat politike të Kosovës dhe e kanë drejtuar organet që janë caktuar sipas hierarkisë politikisht, jo individualisht. Askush si individ nuk mund të jetë, e nuk ka qenë themelues, udhëheqës e drejtues. Por, secili ka kryer detyrën me të cilën është ngarkuar, që nga ai që ka qenë i pari në strukturën politike e luftarake të ushtrisë, e deri te ushtari i fundit.

Prandaj, do të kërkoja prej të gjithëve t’i shikojmë çështjet më thjeshtë, më pa ambicie të sëmurë, më pa dëshirë për të rrëmbyer gjithçka për vete.

Ne, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk duhet në asnjë mënyrë të ndihmojmë në proceset antihistorike që ka ndërmarrë Serbia kundër kësaj lufte. Por, të gjithë duhet të jemi të kthjelltë, se duke e copëzuar luftën e ushtrinë për interesa të pa vlera personale, pa dashje, ne që luftuam po e bëjmë një argat kundër kësaj lufte.

Më vjen keq, për çfarë po veprohet e flitet. Dëshiroj që të gjithë luftëtarët, si dje në luftë të kenë parësor atdheun dhe kombin, lirinë dhe madhështinë e popullit shqiptar.

Nderim për të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ju dëshiroj gjithë të mirat.

*Autori ka qenë komandant i përgjithshëm i UÇK-së./TV Malisheva

 

Share.