Shkruan: Skender Zogaj
Fill i vetëm u nise, o kapedan –
me këngë bilbilash që fluturonin e binin
rreth e rrotull kanjushës së verdhë.
U nise dhe ia zure pritën urithit
për mos me e lënë mollën e kuqe
me u rrokullisë e me ra –
në prehrin hënës së përgjakur…
Këmbëzbathur në drejtim të diellit
përtej guximit të bilbilave
e vizatove ëndrrën e bardhë
që frika të mos përhapej
brenda kopshtit të syrgjynosur
ku koha ishte e turbull
e bimët të veshura me akull!
Me guximin e rishfaqjes së feniksit
mëkove zogjtë e mbyllur në kafaz
që rriteshin me drapër në qafë…
Fill i vetëm e çave terrin,
pa rima mallkove falangat e larta
dhe xhelatët me maska ndër gijotina.
…i molisur nga brengat e thirre Sokratin
Prandaj të vranë por ti nuk hoqe dorë
nga kërkimi i njeriut ndër këngë bilbilash. /TV Malisheva

Share.