Oborri ku rritet bar i pashkelun, m’kujton nji andërr t’bukur e nji që përvelon. Atëherë kur stisesha n’parmak dhe shihja Artanin, Ardianin, Armendin e Edmondin tek ndiqeshin, ziheshin e qeshnin madhërisht, dhe atë ditë kur mbeta n’dritaren e thyer, tuj pa se si nji karvan maskarenjsh, bijve zvarritjen ua bën lojë. Atë ditë s’kam mendu që tuj pa një shpinë që ikën, s’kam me pa më fytyrë që vjen.
Sa herë tej perdeve t’zymta del diell, m’shuhet andrra me pa hije njeri n’sytë e mi. Dhe unë mbetem po ajo nënë, që vë jelekun e pushtë krahëve dhe ju kujtoj ambël, se si varg i lanit sytë lazdrueshëm n’çezmën e ftohtë dhe vraponit t’zinit karrigen e bukës afër meje.
Dhe kur ju s’vini, lozin katër djemë që rriten për të keq, Malli, Mallengjimi, Pikëllimi e Trishtimi.
Nji marak m’shtyp shpirtin, kur shoh që pjatë e vënë s’ndryshon, ju s’hani, s’pini e as flisni, dhe n’vesh s’më bie ajo fundfjalë “të lumshin duart nënë”. Dhe merakun për ju e shuaj me fjalën që dridhshëm bie buzve ” ndoshta Halimi është më ta, i ushqen e ua dend trupin”.
Ju kam vënë në mur, kudo e ngado, që n’mbyllje e n’hapje sysh, m’ju pa e m’ju ndje. U kam vënë kornizë t’fortë druri, zëmrave tuaja t’hekurta që s’rrahin. T’qeshunat m’përplasen n’gjoks, ashtu hovshëm, si t’vegjël kur u mbaja n’gji dhe ua shprishja flokun e zi, t’bardhë, t’shtirë e t’dredhun. E kam bërë ekspozitë kujtimin për ju, jo që dua dhembjen, por dhembja po më do.
Pse me jetu nji jetë pa pesë jetë!
Nga aty kolliteni, i bëni rojë shtëpisë ku rron një grua si unë, që i kanë mbi thonj në shpirt, me gërrmu nji tokë t’pafundme, për me gjetë nji asht të vetëm.Ju bëra viganë, e ju lanë si një trohë, me kilometra larg nga unë. Çajin e pi e vetme, e përziej dhembjen dhe helm pi, kur zhurmë lugësh s’vi pranë. Ndodh të dal n’botën që ma ruan atë kujtimin që m’përvelon, kur ikët nga ajo portë dhe nji vetmi e përbetune u mvesh n’çdo tullë shtëpie. Ejani ju, s’do qortoj për rrobë të shqyer, nji kalem e gjilpërë n’duar, m’kujtojnë që jam gjallë e në pritje.
Dhe unë lumturohem, ikë ta gjejë kujtimin e parë për ju, zënkat, zhurmat e vegjelisë.
Ndanë çdo plagë që m’kullon, bie si fashë kujtimi që ju ishit, ekzistuat, m’ latë si nanë. Por unë dua, që akoma t’jeni e t’më gjeni si nanë.
Dua që një ditë kamxhiku të hapet nga brenda, t’vie trokitje e njomë, nji za që shpon e zukatë n’shpirt. T’ju kap Halimi duarsh, t’ju shoh t’rreshtum, me pedanti ushtari, me dashurinë që ndanit mes meje dhe atdheut.
E unë Ferdonija, e hekurta e botës, do t’kërkoj kujtimin e parë për ju, zënkat e zhurmat e vegjelisë. Dhe mbahem e fortë kur shikoj, që fal jush, ca çunakë t’lagjes në mars, ndjekin fluturat, që flenë n’barin e pashkelun.

Flamur Foniqi

Share.