Shpresa brenda katër mureve

 

(Këtu është një pjesë e një tregimi më të gjatë – që mëtohet me u botu si libër në një të ardhme të afërt. Me kërkesën tuaj ndava tri faqe të këtij rrëfimi nga 78 sa ka gjithsej tregimi. Ju faleminderit!)

 

Qëndrim Morina

U çova. Largova çebën nga këmbët. Fërkova sytë dhe dola…

Porsa dola prej shtratit, të ftohtit e rreptë m’u vërsul si ndonjë armik i papritun. Kalova shpejt në kuzhinë. Derisa ndeza shporetin dhe lava fytyrën e dhëmbët, të ftohtit më hyri në asht dhe filloi të ma pi gjakun.

Vesha shumë shpejt xhaketën, pantollat e çorapët me vija kaltër e bardh. Mora setrën prej tavolinës, që mbeti pa kompjuter tash e sa kohë sepse e prishi  myku e të ftohtit, shtëpizën që qëndronte në laminat. Shkova të dritarja, çova perden vija-vija për të parë se a ka diell që do të shkrijë këtë të ftoht që ish qartë si ndonjë përbindësh.

Kishte pak, por të ftohtit kishte shtrydhur tashmë trupin tim si një limon në makinën e prishur – apo maçinat që reklamohen në Top Shop – që dorën në zemër na kanë thi. Kur pushova pak së dridhuri, u çlirova dhe rashë përsëri pasi zhvesha ato pak tesha që kisha veshur. U mbulova me çebën e zezë që ngrohte si një furrë e bukës. Kisha fjetë pak kohë, këmbët më ishin mërdhi pasi që më kishte ikur çebja.

Nga të ftohtit më kishte dalë gjumi.

Dielli kishte depëruar në sytë e mi dhe zbardhja e ditës e mundi atë të ftoht që dukej si ujk i uritur. U ngrita, e vesha pallton ngjyrë kaltër që më shumë ishte për pranverë sesa për dimer, por që shkonte shtati dhe më pëlqente. Mbështolla qafën dhe një pjesë të fytyrës me shall bardh e zi dhe sapo po dilja hyri pa trokitur nana duke gjëmuar nga frymëmarrja jo fort e mirë dhe filloi të me m’folë për veshjen time jo aq dimërore.

  • “Qeshtu po ftofesh”- m’u drejtua dhe u ulë në karrigen pranë shporetit.
  • Mirë jam, – ia ktheva gjakftoftë.

Ndërsa ajo shumë e nervozuar, ndoshta jo veç për punë të veshjes, filloi të më turret e të më përqafojë fuqishëm. Fillimisht u habita nga frazat, nervozë-përqafim, kritikë- puthje, por që eci mirë. Mes përqafimesh dola në rrugë.

Jashtë ndesha një mesditë dimri të jashtëzakonshme. Gjithçka ishte mirë, më mirë se çdoherë. Atje lart në shtyllë elektrike, do sorra të shpërdane, ngriheshin kah pullazet e shtëpive. Kjo mesditë dimri me kaçurrela të bardha kishte ndreçur gjithçka. Grabiqarët e braktisur dhe të tradhtuar lëshoheshin tuba-tuba rrugës së mbuluar me një shtresë të hollë bore dhe pa nda mundoheshin që më sqep të kapnin ndogjë për të ngrohur lukthin e tyre të thatë prej të ftohtit.

Në rrugën për në qytet takova një grup njerëzish, meshkuj e femra, të cilët nxitonin kah koftorri i market “Beni”-it, për të ngrohur këmbët e ngrira nga të ftohtit. Kur i pashë ashtu, preka pallton dhe shallin tim dhe i putha në shenjë falënderimi për ngrohtësinë që më jepnin.

Pas pak çasteve filloi dielli të shfaq’ fytyrën e tij ëngjëllueshe – me rrezet e tij të ngrohta të largojë të ftohtit që e kishte mbuluar vendin.

Në një çast rrezet e tij m’u duken si të padurueshme e të pamëshirshme, por jo, ato ngrohen shpirtin e trupin tim. Madje njëherë desha të zbërthej ca pulla të këmishës që kisha veshur përfuni palltos.

Fytyra ime filloi të marrë ngjyrë të kuqe si molla, nga ajo e zverdha që kisha. Por ky diell filloi të qet dhëmbët dhe të lë rrugë për të ftohtit. Nuk doja përsëri të ndjeja këtë të ftoht, por diçka përbrenda më thoshte: provoje.

Vapa e të ftohtit filloi të zë vend në trupin tim, u mbështeta tek ajo dhe e shtrëngova fort. Trupi thuajse m’u ngri i tëri, në anën tjetër më mbuluan djersët. Disa thërmija më hynë jakës së këmishës që kisha përfundi palltos së kaltër dhe trupi prapë m’u kall nga vapa e m’u merdhi nga të ftohtit.

U mbështeta për muri para shtëpisë së rrëzuar nga era, konkludova se i ftohti ngjason me vdekjen. Të ftohtit është vdekje. Vdekja është e ftohtë. Ky ishte përfundimi më i mirë që kisha nxjerrë ndonjëherë…

 

 

Share.