Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Asamblenë e Partisë Socialiste kabinetin e ri qeveritar. Nëntë ministra të kabinetit Rama II ruajnë pozitat e tyre edhe tek Rama III. Olta Xhaçka, Niko Peleshi, Bledi Çuçi, Belinda Balluku, Evis Kushi, Ogerta Manastirliu, Elva Margariti, Elisa Spiropali dhe Arben Ahmetaj rikonfirmohen në dikasteret e tyre, me këtë të fundit që do të jetë edhe zëvendëskryeministër.

Rama konfirmoi edhe shtimin e dy ministrive të reja të shtetit, si ajo e Rinisë dhe Fëmijëve e cila ndahet më vete nga ministria e Arsimit si dhe dikaster i ri është ai i Standardeve dhe Shërbimit.

Emrat e rinj e surprizë janë ai i Delinda Ibrahmajt në krye të Financave dhe Ekonomisë, Ulsi Manja në krye të Drejtësisë dhe Frida Krifca në krye të ministrisë së Bujqësisë.

“Zëvendëskryeministri, që do të mbikëqyrë deri në fund Rindërtimin si dhe kalendarin e zbatimit të programit të ri qeverisës, zotëri Arben Ahmetaj. Ministra për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Mbrojtjes do të jenë Olta Xhaçka dhe Niko Peleshi. Ministrinë e Drejtësisë do ta drejtojë Ulsi Manja, ndërsa Punët e Brendshme, Bledi Çuçi. Në drejtimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të jenë Delina Ibrahimi. Në krye të dikasterit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do të qëndrojnë Belinda Balluku dhe Ogerta Manasterliu. Për Arsimin dhe Sportin, Ervis Kushi. Për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Frida Krifca. Për Turizmin dhe Mjedisin, Mirela Kumbaro. Dhe për Kulturën, Elva Margariti. Dhe Qeveria e re do të ketë përsëri 4 ministra shteti. Elisa Spiropali për Marrëdhëniet me Parlamentin. Edona Bilali për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Bora Muzhaqi për Rininë dhe Fëmijët dhe Milva Ekonomi për Standardet dhe Shërbimet”, deklaroi Rama.

Ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, do të pasojë Gramoz Ruçin si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.

“Lindita Nikolla, e cila besoj se ka jo vetëm gjithë mbështetjen e kësaj asambleje, por edhe të gjithë anëtarëve dhe të gjithë simpatizantëve të Partisë Socialiste për të marrë stafetën e Gramozit në krye të Kuvendit të Shqipërisë, si një grua me një kontribut dhe përvojë të gjatë në familjen tonë politike, si një shembull i padyshimtë i përkushtimit dhe i ndershmërisë në kryerjen e çdo detyre, si një shoqe e mirë e të gjithëve, ne dhe si politikane karriere që është karakterizuar nga dëshira për dialog të edukuar me të tjerët do të jetë edhe anëtare ex officio e kryesisë së PS”, vijoi Rama.

Rama njoftoi edhe për ndryshime në strukturat e Partisë Socialiste në qendër dhe qarqe. Kështu, sekretar i përgjithshëm i partisë është emëruar Damian Gjiknuri që zëvendëson Taulant Ballen.

Ky i fundit do të jetë kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të cilin Rama tha se duhet të kujdeset të ketë rritje sasiore e cilësore të aktivitetit politik të deputetëve socialistë edhe në Kosovë.

“Detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të PS do ta mbulojë Damina Gjikunri. Do të kërkoj që ta kuptoni shumë qartë që unë kam vlerësimin më të madh për punën e përkushtuar që ka kryer Taulant Balla në këtë detyrë dhe mbajtur pa u ankuar asnjëherë dy kunguj të rëndë nën një sqetull për më tepër në një periudhë të jashtëzakonshme për Kuvendin e Shqipërisë, mes pandemisë dhe marrëzisë opozitare. Por, pasur sukses në këtë projekt të ri ambicioz të rilindjes së dytë të PS, këto dy ngarkesa kaq të rëndësishme nuk mund të mbahen nga i njëjti person, kjo sepse përgjegjësia e grupit gjatë këtij mandati duhet të jetë e fokusuar në rritjen sasiore por edhe cilësore të aktivitetit politik të deputetëve, jashtë sallës së Kuvendit, në zonat zgjedhore, në Kosovë, dhe në marrëdhënie ndërkombëtare”, deklaroi Rama.

Në Asamblenë e Partisë Socialiste do të zgjidhet edhe kryesia e re e partisë. /TV Malisheva

Share.