Llapi është mposhtur nga Feronikeli në Drenas me rezultat 1-0 në ndeshjen e Superligës.

Pas ndeshjes si duket ka pasur një tollovi ku edhe është arrestuar ndihmës trajneri i skuadrës nga Podujeva, Burim Zhjeqi.

Sipas një komunikata të lëshuar nga Llapi, ai u arrestua nga njësia speciale dhe është mbajtur për tri orë.

Llapi gjithashtu ka kritika edhe për delegatët e FFK-së.

Më poshtë është reagimi i tyre:

Komunikatë për media

Jo gjithçka shkoi në rregull pas përfundimit të ndeshjes Feronikeli – Llapi.

Ne nuk jemi të njoftuar për kompetencat e Policisë së Kosovës në ndeshjet zyrtare të Superligës, a janë ata për të na mbrojtur apo për të na sulmuar e arrestuar vetëm pse kërkojmë sqarim me fjalë për dëmtimet që po i bëhen KF Llapit.

Njësoj edhe sot, sikurse në turpin që bënë në ndeshjen Gjilani – Prishtina të edicionit të kaluar, Policia e Kosovës përdor dhunë mbi personin zyrtar, ndihmëstrajnerin e klubit, Burim Zhjeqi i cili arrestohet në mënyrë brutale nga e ashtuquajtura Njësi Speciale.

Krejt kjo ndodh kur në ndeshjet tona nuk ka profesionalizëm, sepse personat zyrtar të deleguar nga FFK-ja nuk janë të nivelit të Superligës, veçanërisht nga Delegati i ndeshjes ku në kushte pandemie nuk i largon tifozët nga tribuna, të pranishmit kalonin numrin e mbi 200 shikuesve. Ai merret me personat zyrtar, të cilët kanë drejtë të protestojnë me fjalë, e ai urdhëron Policinë duke iu thënë “lidhni” .

Po shfaqim brengën tonë nëpërmjet kësaj video të bashkangjitur rreth asaj se çka ndodhi pas ndeshjes Feronikeli – Llapi në hapësirat e brendshme të stadiumit.

Pas më shumë se 3 orëve pritje, ndihmëstrajneri Burim Zhjeqi është liruar nga mbajtja në stacionin policor në Drenas.

Ai është i trishtuar me sjelljet e policisë mbi të, i cili ka pësuar trauma nga sjelljet brutale të Njësisë Speciale.

Share.