Kastriot Rexha, futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin 2019, është ndër më të mirët që aktivizohet te Drita e Gjilanit.

Rexha i cili u transferua te Drita në janar të këtij viti nga Feronikeli, e ka ndihmuar skuadrën e Ardian Nuhiut të shpallet kampion i Kosovës për edicionin 2019/20.

Pas titullit të kampionit, Rexha dhe Drita do ta përfaqësojnë Kosovën në fazën preliminare të Ligës së Kampionëve, ku fillimisht do të kenë punë me kampionin e Andorrës, Inter D’Escaledes.

Në një intervistë me “Zerin”, sulmuesi i lindur në Prishtinë, ka konfirmuar se përgatitjet e skuadrës do të nisin nesër për këtë ndeshje pas një edicioni të stërngarkuar.

“Kemi pasur vetëm dy ditë pushim dhe nga nesër presim të fillojmë përgatitjet për ndeshjen e ardhshme”, ka thënë fillimisht 31-vjeçari.

“Do të jetë një ngarkesë e madhe duke marrë parasysh kampionatin e stërzgjatur dhe ndeshjet e shpeshta që i kemi pasur. Mirëpo, do të tentojmë të përgatitemi dhe të paraqitemi sa më mirë”, u shpreh Rexha.

Drita do të përballet me Inter D’Escaledes më 8 gusht në Nyon të Zvicrës, derisa Rexha shprehet optimist për skuadrën e tij.

“Është e vërtetë se të dyja skuadrat jemi pa përvojë në këtë garë përveç se Drita ka marrë pjesë njëherë. Mendoj se kemi skuadër me përvojë dhe jam optimist për ne”, potencoi Kastriot Rexha.

Ndërsa, për synimet në edicionin e ardhshëm, Rexha u përgjigj:

“Ne si skuadër, gjithmonë kemi synim titullin kampion dhe normal që do të tentojmë përsëri ta fitojmë”.

Ndryshe, Rexha është njëri prej sulmuesve më me përvojë në futbollin e Kosovës, derisa ai është paraqitur te skuadra si Feronikeli, Besa e Pejës, FC Prishtina, Trepça’89 dhe Hysi, derisa në Shqipëri ka luajtur te Vllaznia.

Share.