Kampioni i Kosovës, Feronikeli, e zhvillon sot ndeshjen e kthimit ndaj Slovan Bratislavës në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Europës, shkruan Gazeta Metro.

Kampioni i Kosovës dhe ai i Sllovakisë përballen sot në ‘Fadil Vokrri’ për të zhvilluar ndeshjen e kthimit të raundit të dytë kualifikues në Ligën e Europës.

Ndeshja e parë kishte përfunduar me rezultatin 2-1 në favor të sllovakëve, duke mbetur gjithçka e hapur për ndeshjen e kthimit.

“Për ne është ndeshje shumë e rëndësishme. Përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë, por ne shpresojmë në kualifikim” – tha fillimisht golashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës në sezonin e fundit.

Tutje, Rexha foli edhe për thirrjet kundër Kosovës që tifozët e Slovan Bratislavës i kishin bërë gjatë ndeshjes së parë, teksa kërkon nga tifozët e ‘Niklit’ që të mos bien pre e ndonjë eksesi.

“Për ne nuk kanë pasur e as nuk kanë ndikim thirrjet e tyre që kanë bërë gjatë ndeshjes. Futbollistët e Slovan Bratislavës kanë qenë shumë të mirë dhe të sjellshëm gjatë gjithë ndeshjes. Andaj, ftojmë tifozët mos të bien pre e ndonje ekcesi apo diçka që do e dëmtonte imazhin tonë dhe nuk do të shkonte në favor tonin”

Share.