Rreth 10 blerës serioz thuhet se janë të interesuar për të blerë Chelsean nga Roman Abramovich.

Oligarku rus njoftoi javën e kaluar se kishte nxjerrë kampionët e Evropës në shitje dhe kjo erdhi pas frikës së vendosjes së sanksioneve pas pushtimit të Ukrainës.

Abramovich thuhet se ka vendosur një çmim prej 3 miliardë funtesh për shitjen e Chelseat, me 55-vjeçarin që këmbëngul se pronarët e rinj të klubit duhet të vazhdojnë në të njëjtën mënyrë në lidhje me investimet e skuadrës dhe ndërtimin e stadiumit.

Sipas “Sky Sports News”, deri më tani janë 10 ofertues që po i shqyrtojnë ofertat që mund t’i bëjnë, me pjesën më të madhe të të interesuarve që vijnë nga SHBA-të.

Një konsorcium i udhëhequr nga Todd Boehly dhe Hansjorg Wyss mendohet që po i prijnë garës për të blerë klubin anglez, por mbetet për t’u parë nëse dyshja do të përkulet ndaj kërkesave të Abramovich. Pra të paguajnë 3 miliardë funte.

/TV Malisheva

Share.