Kosova rrezikon të humbasë rreth 300 milionë euro në kontestet e ngritura në arbitrazh, ndërkohë që vlera e kontestit të fituar gjatë këtij viti është 10 milionë e 183 mijë euro, të gjitha këto lëndë të fituara në vendime të formës së prerë.

Kështu ka njoftuar sot ministri i Drejtësisë, Selim Selimi i cili është shprehur se Avokatura Shtetërore ka pranuar gjithsej 1935 lëndë. Ai në një konferencë për media ka bërë të ditur se së fundmi janë fituar dy raste, në vlerë prej më shumë se 2 milionë euro.

Selimi: Kemi fituar dy konteste në vlerë 2.8 milionë euro

“Avokatura Shtetërore i ka pranuar gjithsej 1935 lëndë në vitin 2020. 462 prej tyre janë fituar, 307 janë me ankesë në Gjykatën e Apelit, të tjerat janë në proces. Unë jam i lumtur që këtu edhe me avokatin Zuka dhe Ajdogan po paraqes dy raste të cilat janë fituar. Një rast ka të bëjë me një kontest ku shteti i Kosovës i ka mbrojtur dhe i ka fituar 1,8 milionë euro, ka qenë rasti i avokates Ajdogan. Dhe gjithashtu në Gjykatën e Vjenës në Austri, avokati Zuka ia ka mbrojtur shtetit 1 milion euro. Këto janë dy nga rastet të cilat janë mbrojtur rishtazi”, u shpreh Selimi.

Ministri Selimi ka folur edhe për arbitrazhet tjera, për çka tha se Kosova është në rrezik që të humbë 300 milionë euro. Megjithatë, u zotua se Kosova është e përgatitur që të mbrojë të gjitha kontestet e ngritura në arbitrazh.

Selimi: Kosova rrezikohet të humbasë në arbitrazhe rreth 300 milionë euro

“Kosova momentalisht i ka të rrezikuara nëpër arbitrazhe diku rreth 300 milionë euro. Shumë prej këtyre rasteve i kemi fituar disa herë në proces dhe kemi angazhuar kompani të huaja për ta na mbrojtur. Çështja e IUTE Credit është në fazën fillestare. Ne jemi në proces me Qeverinë e Kosovës që ta hapim një mundësi që edhe avokatët tanë edhe një kompani e huaj premium, e cila do të jetë në një proces transparent ta mbrojë shtetin atje. Është rrezik për shkak që Ligji për Investimeve të Huaja direkte e ka një normë e cila fatkeqësisht e lë shumë të gjerë hapësirën për të shkuar në arbitrazh”, tha Selimi.

Avokati i përgjithshëm i Shtetit, Sami Istrefi tha se është shumë e rëndësishme që të fuqizohet ky institucion meqë e mbron Kosovën nga paditë. Sipas tij, Kosova nuk ka humbur asnjë rast në arbitrazh, për çka shtoi se në rastin e Telekomit pala paditëse e ka paditur drejtpërdrejt këtë kompani dhe jo Qeverinë e Kosovës.

Istrefi: Vlera e kontestit të fituar është 10 milionë e 183 mijë euro

“Janar-tetor të këtij viti Avokatura e Shtetit ka mbrojtur një numër të madh të lëndëve në gjykatat tona. Vlera e kontestit të fituar është 10 milionë e 183 mijë euro, të gjitha këto lëndë të fituara në vendime të formës së prerë. Gjatë javës në vazhdim e kemi edhe një lëndë e cila jashtëzakonisht është e madhe mbi 10 milionë euro, meqenëse jemi të bindur edhe në këtë rast do të fitojmë”, tha Istrefi.

Ministri Selimi ka njoftuar se tani kanë pranuar një aktgjykimin nga departamenti ekonomik, ku është fituar një kontest në vlerë 1.8 milion euro, lëndë e përfaqësuar nga avokate Ilire Tasholli Aydogan. Derisa, Avokatura Shtetërore ka përfaqësuar kontestet gjyqësore në Gjykatat Ndërkombëtare nga avokati Arsim Zuka në një rast të fituar me vlerë prej 1 milion euro.

Share.