Sipas Vendimi të Këshillit të Ministrave në Shqipëri, çdo subjekt që merr lejen për të përdorur zonën e plazhit duhet të pajiset me rojën bregdetare të kullave të vrojtimit. Leneda Kamberaj, trajnere e licencuar e vrojtuesve të plazhit, tha për Euronwes Albania se për vitin 2022 janë trajnuar dhe licencuar 19 vrojtues.
Por të 19 janë pronar plazhi dhe kjo ndodh për dy arsye. “Pronarët e plazhit kërkojnë persona për t’i trajnuar që t’ua bëjnë ata pagesën e trajnimit dhe të vendosi vrojtuesit çfarë rroge duan, por nuk ka persona të interesuar. Një arsye tjetër është se pronarët e plazhit nuk duan të paguajnë lekë shtesë për të marrë një punonjës më shumë dhe e bëjnë vetë trajnimin, por nuk është se këta pronar qëndrojnë në pikën e vrojtimit dhe kryejnë rolin e vrojtuesit të plazhit, e marrin vetëm për të marrë lejen e plazhit dhe kaq,” – sqaroi ajo.
Në Vlorë tashmë shezlongjet janë vendosur dhe pushuesit shtohen çdo ditë, ndërsa mungesa e elementëve të sigurisë, vijon të mbetet problem edhe këtë sezon. Kryeinspektori i policisë bashkiake tha për Euronews Albania se kontrollet nuk kanë nisur ende pasi po pritet lista përfundimtare e përfituesve të plazheve nga bashkia Vlorë. Sakaq Agjencia Kombëtare e Bregdetit tha se javën që vjen do të nisin kontrollet së bashku me policinë e shtetit dhe atë bashkiake për të kontrolluar të gjitha subjektet mbi hapësirat e zëna dhe pajisjen me vrojtues plazhi./Euronews Albania