Kampioni në fuqi i Kosovës, Feronikeli, është skuadra e vetme kosovare që po luan ende në garat evropiane.

Nikli tanimë ka zhvilluar ndeshjen e parë të rundit të dytë në Ligën e Evropës përballë Slovan Bratislavës.

Industrialistët pësuan humbje në ndeshjen e parë me rezultat të ngushtë 2:1. Goli i Mendurim Hotit ka lënë në shpresë Feronikelin për kalimin tutje.

Kjo ndeshje pritet të jetë e nxehtë për faktin se në duelin e parë futbollistët dhe klubi kosovar u provokuan dhe u ofenduan në mënyra të ndryshme

Aventura evropiane e Feronikelit vazhdon sonte ku do të takohet me skuadrën sllovake Slovan Bratislava në kuadër të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Evropës.

Kjo ndeshje po pritet me shumë interes nga futbolldashësit e futbollit kosovar për faktin se takimi i zhvilluar një javë më parë në Bratislavë përfundoi me rezultat 2:1 në të mirë të Slovanit.

Dueli do të luhet në orën 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Goli i shënuar nga skuadra nga Drenasi jep shumë shpresë për kalimin në fazën tjetër. Niklit i mjafton një rezultat 1:0 në mënyrë që të kalojë tutje.

Takimin në fjalë e ka komentuar edhe mbrojtësi i Feronikelit, Përparim Islami.

Islami ka thënë se gjithçka është e hapur sa i përket skuadrës që mund të kualifikohet tutje.

“Rezultati 2:1 nuk është i keq, ende gjithçka është e hapur. Na mjafton një gol që të ecim përpara”, ka thënë Islami për gazetën “Zëri”, duke folur më pas për ngjarjet në stadium.

“Presion ka pasur bukur shumë nga ana e shikueseve, por ne jemi sportistë dhe duhet të jemi profesionistë, nuk duhet t’i dëgjojmë ata çfarë bëjnë. Gjithsesi kishte thirrje raciste gjatë gjithë kohës dhe pa dyshim se ato ndikojnë edhe te lojtarët, nuk mund t’i injorosh krejtësisht”, ka thënë Islami, duke e përshkruar ndjenjën e të qenit në fushë kur fyesh gjatë tërë kohës.

“Është shumë keq kur dëgjon tërë kohën aso fjalë raciste, megjithatë ne jemi munduar të përqendrohemi gjatë gjithë kohës në lojë. Në fund të takimit ka pasur tension dhe presion, por fatmirësisht kaloi shumë mirë”, ka thënë Islami

Share.