Basketbolli i Kosovës për herë të parë pas disa vjetësh nuk do të ketë asnjë përfaqësues në kupat evropiane për edicionin 2020/21. Asnjë skuadër elitare nuk do të paraqitet për edicionin e ri në kupat e Evropës, gara ku në të shkuarën morën pjesë – Liga e Kampionëve dhe FIBA Europe Cup. Këtë e ka bërë të ditur Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) të martën.
Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka thënë që klubet për shkak të shpenzimeve të mëdha janë pajtuar të pauzojnë për edicionin e ri. Edicioni 2019/20 në Superligën e Kosovës u anulua në fund të muajit mars për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit. FBK-ja anuloi edicionin por nuk shpalli kampionin. Skuadra e vetme që këtë edicion arriti ta mbyllte me trofe para se të anulohej edicioni është Peja, që arriti të triumfonte në Kupën e Kosovës.
Në fakt, basketbolli ishte sporti i parë dhe i vetëm kolektiv që mori një vendim të tillë për anulimin e garave në Kosovë. FIBA kohë më parë ka publikuar listën e ekipeve për edicionin e ri në Ligën e Kampionëve derisa një gjë të tillë pritet ta bëjë edhe për FIBA Europe Cup, ku në të dyja garat do të konfirmohet mospjesëmarrja e skuadrave kosovare. Deri më tash Kosova në Ligën e Kampionëve dhe FIBA Europe Cup është përfaqësuar nga Sigal Prishtina, Peja dhe Rahoveci. Megjithatë, suksesin më të madh në këto gara e ka pasur Prishtina. Pasi është eliminuar rregullisht në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, Prishtina është paraqitur në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, ku edicionin e shkuar arriti deri në 1/8 e finales. Edhe Peja ka luajtur në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup derisa Rahoveci edicionin e shkuar nuk shkoi përtej raundit eliminator të kësaj gare.
“Nuk do të kemi asnjë ekip që edicionin e ri do të garojë në kupat evropiane. Kur kemi pranuar shkresat nga FIBA për paraqitje të ekipeve, ne si Bord i FBK-së kemi vendosur që këtë çështje ta diskutojmë me klube që kemi dashur t’i informojmë se nëse kanë plan të marrin pjesë, atëherë duhet një mobilizim i madh, si dhe një depozitë prej 15 mijë eurosh”, ka thënë Dushku.
“Pas gjithë kësaj, klubet janë pajtuar që këtë vit nuk ka kushte për kupa evropiane dhe fokusi mbetet tek Liga e Përbashkët me Shqipërinë”.
Në fakt, Dushku ka thënë se për FBK-në Liga e Përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërinë do të jetë prioritet për edicionin e ri. Madje ka thënë se pjesëmarrja e skuadrave kosovare në këtë ligë në njëfarë mënyre do ta kompensojë mungesën në kupat evropiane. Për Ligën e Përbashkët, FBK-ja tashmë ka përcaktuar ekipet që do ta përfaqësojnë Kosovën: Sigal Prishtina, Peja, Rahoveci dhe Golden Eagle Ylli. Ndërsa sa i përket Ligës Ballkanike (BIBL), Dushku nuk është e sigurt nëse do të paraqitet ndonjë ekip në këtë garë rajonale për sezonin e ri./Tv Malisheva