Ambasada e Japonisë në Kosovë mbajti mbrëmjen japoneze për të shijuar tingujt e instrumentit japonez Koto. Artistja Atsuko Suetomi ka interpretuar melodi të ndryshme me Koto, të shoqëruara edhe me pjesë vallëzimi japoneze.

Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka, është shprehur falënderues ndaj të pranishmëve për këtë ngjarje kulturore të traditës japoneze.

Ndërsa ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e ofruar nga MKRS.

Yamanaka: Shpreh mirënjohjen time për partnerët tanë

“Kam kërkuar bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe ata me kënaqesi pranuan, dhe bëmë përgatitjet në bashkepunim me ambasadën. Kështu që shpreh mirënjohjen time për partnerët tanë”, tha ai.

Ndërsa artistët që performuan i ka quajtur mjeshtër në profesionin e tyre.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përmendur vizitën në Japoni për 36 orë, me rastin e e ceremonisë shtetërore për lamtumirën e ish-kryeministrit, Shinzo Abe. Derisa ka shtuar se i ka lënë mbresa të thella dhe të paharrueshme.

Ai tha se kultura japoneze është shënuar tashmë me ar në historinë e kombit tonë të ri.

Kurti: Ky aspekt është ura më e mirë ndërmjet dy vendeve tona

“Ky rast është vetëm shprehja e radhës e respektit të ndërsjellë që kemi ndaj kulturave të njëri-tjetrit. Ky aspekt është ura më e mirë ndërmjet dy vendeve tona, ku njerëzit tanë mund të bashkohen dhe të vlerësojnë traditën e njëri-tjetrit. Kultura japoneze është shënuar tashmë me ar në historinë e kombit tonë të ri. Arti i xhudos i themeluar nga mësuesit e Jiu Jitsu-së, në fund të shekullit të 19-të, deri më tani, në fillim të shekullit të 21-të, na ka dhënë 3 medalje të arta në lojërat oplimpike, duke përfshirë dy vitin e kaluar në Tokio. Bashkëpunimi mes dy vendeve tona në sferën e muzikës është i pranishëm dhe i mirë. Një kontribut i fuqishëm dhe i jashtëzakonshëm për komunitetin muzikor të Kosovës mbetet bashkëpunimi ynë i ngushtë me dirigjentin Toshio Yanagisava”, tha ai.

Kurti ka shtuar se Yanagisava për shumë vite, jo vetëm që ndihmoi në zhvillimin e filarmonisë kosovare, por solli edhe ekspertizë japoneze në zhvillimin e muzikës klasike.

Kurti këtë koncert e ka vlerësuar si të veçantë për vendin, derisa ka treguar edhe për instrumentin hark tradicional japonez “Koto”.

Kurti: Koto e ka origjinën nga kinezët dhe u soll në Japoni në shekullin e 8-të.

“Koto e ka origjinën nga kinezët dhe u soll në Japoni në shekullin e 8-të. Është një instrument që përfaqëson një pjesë të madhe të kulturës muzikore japoneze dhe që është shfaqur herë pas here edhe në muzikën moderne perëndimore, duke filluar nga David Bowie, Queen dhe Dr. Dre”, shtoi ai.

Artistja, Atsuko Suetomi është shprehur e lumtur për performancën në Kosovë. Ajo ka shtuar se përshtypja e parë për Kosovën ka qenë e mrekullueshme.

“Jam shumë e lumtur që po performoj në Kosovë. Jam për herë të parë këtu, kështu që përshtypja e parë është e mrekullueshme”, tha ajo.

Në fund të pranishmit patën rastin të dëgjojnë edhe një nga këngët tradicionale folklorike të interpretuara me këtë instrument, duke simbolizuar kështu lidhjen e fortë mes dy vendeve.

 

Share.