Filmi Oppenheimer, me regji të Christopher Nolan, bazohet në librin “American Prometheus: The Triumph and Tragedy of J. Robert Oppenheimer” të autorëve Kai Bird dhe Martin J. Sherwin.

Shkruan: Afrim Kasolli

Këta dy historinë e kanë portretizuar biografinë dhe rrethanat jetësore në të cilat ky shkencëtar përfshihet në krijimin dhe shpikjen e bombës atomike. Mirëpo, pak filma sikur Oppenheimer-i kanë pasqyruar edhe dialektiken e shkencës bashkëkohorë, e cila i ngërthen  në vete tensionet  faustiane ndërmjet progresit dhe regresit, krijimit dhe rrënimit, shpikjes dhe shkatërrimit. Po ashtu, në këtë prodhim artistik zënë një vend qendror edhe dilemat vrastare të intelektualit në botën moderne, ashtu siç e ka përkufizuar atë, Zhan Paul Sartre.

Siç dihet, për filozofin francez,  intelektuali është ai i cili më shumë se kushdo tjetër kapërthehet dhe bëhet i vetëdijshëm për kundërthëniet brenda vetes dhe shoqërisë ku jeton, ndërmjet kërkimit për të vërtetën në një kontekst praktik dhe sundimit. Pra jo çdo shkollar apo shkencëtar mund të cilësohet si intelektual, sipas këtij përkufizimi të ZH.P. Sartrtit. Mirëpo, i tillë mund të bëhet vetëm dikush, sikur se bie fjala shkencëtari që punon në  shpikjen e bombës atomike, por që pas këtij akti proteston kundër shpikjeve të veta, për shkak të konsekuencave fatale që ato mund të kenë për njerëzimin.

Ky përkufizim, duket se në mënyrë tipike e pasqyron fatin jetësor të J. Robert Oppenheimer, i njohur ndryshe si “babai i bombës atomike”, ku së bashku më atë që quhet si Projekti i Manhhatan-it, kontribuuan në krijimin e armës më vdekjeprurëse në historinë e njerëzimit deri në atë kohë. Ky shkencëtar i fizikës kunatike përfshihet në këtë nismë, nga presionet Luftës së Dytë Botërore, që SHBA-të ta zotërojnë një armë te tille domosodshmërisht para Gjermanisë Naziste. Një detyrë kjo imediate praktike. Ku zgjedhja e një të keqe më të vogël kundër një të keqe më të madhe ishte bërë e pashmangshme.

Mirëpo, pas përdorimit të saj në Japoni dhe shkatërrimeve masive që ajo shkaktoi, me të mbaruar Lufta e Dytë Botërore, J. R. Oppenheimer angazhohet publikisht kundër shumëfishimit të tyre dhe veçanërisht proteston kundër prodhimit të Bombës me Hidrogjen. Kurse, shumë shkencëtare, duke përfshirë edhe Albert Ajnshtain, ishin të dëshpëruar që Shtetet e Bashkuara e përdoren këtë armë pa paralajmërim  kundër një armiku që sipas tyre ishte i mundur. Ndërkaq, Oppenheimer-i shpresonte se pikërisht ky avancim do ta bënte luftën në të ardhmen të pamendueshme dhe do të krijonte kushte për një kontroll ndërkombëtar të këtyre armëve.

Mirëpo, gjithçka ndryshon kur të njëjtën armë e zotëron edhe ish-Bashkimi Sovjetik. Në atë kohë në pushtet në Uashington në Shtëpinë e Bardhë ishte Harry S. Truman. Madje, thuhet se kur kishte dëgjuar për shqetësimit e Oppenheimer-it, e kishte quajtur ketë fundit “qaraman”. Sepse tashmë kishte filluar gara e armatimeve nukleare ndërmjet dy superfuqive botërore. Për shtetet bëhet më rëndësishme shtimi i fuqisë së tyre militare duke poseduar sa më shumë armë të këtij lloji për shkak synimeve të tyre për supermaci globale, sesa trazimet dhe ndërgjegjja e vrerosur e një shkencëtari. Kështu mbi heroin e dikurshëm rëndojnë dyshimet e tanishme për tradhti dhe sabotim të atdheut.

Me këtë rast Oppenhaimer do t’i nënshtrohet një procesi të orkestruar hetimor më akuzën se afiniteti dhe bindjet e tij politike të majta, e kishin dëmtuar sigurinë nacionale të Amerikës. Si argument për këto akuza përdoren lidhet e tij komuniste në Universitetin Berkeley si dhe se si e dashura dhe vëllai i tij ishin anëtarë të Partisë Komuniste dhe kundërshtar të posedimit të në arme edhe më të madhe nga SHBA-të. Natyrisht, në këtë proces luajtën rol edhe konspiracionet dhe kompletet e brendshme të luftës për pushtet.

Ndërkaq, Oppenhaimerit në fund nuk i mbetet asgjë tjetër, pos të gjejë ngushëllim në këshillat shkencëtarit të madh A. Ajnshtajn, ku gjatë një sekuence në fund të filmit e rekomandon të parin, që tash e tutje të përballet me konsekuencat e shpikjeve të veta. E në këtë situatë pa shtegdalje fjalia “Now I become death, destroyer of worlds” i shndërrohet Oppenhaimerit, në makth jetësor.

/TV Malisheva

Share.