Lajmi për një përpjekje të re për rinisjen e SuperLegës nga Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi ka arritur edhe në veshin e presidentit të UEFA-së Alexander Ceferin, i cili e shtypi atë në mënyrën e tij.

I pari i shtëpisë më të madhe të futbollit evropian e ka goditur sërish këtë ide duke paralajmëruar qartë se klubet që mund të jenë pjesë e kësaj iniciative duhet ta harrojnë pjesëmarrjen në garat e UEFA-së.

“Klubet janë të lira të krijojnë turneun e tyre, por pastaj mos të presin të konkurrojnë në UEFA. Ata përdorën njëherë pandeminë, tani po përdorin një luftë,” tha Ceferin gjatë Samitit të Biznesit të Futbollit organizuar nga Finacial-Times, përcjellë TV Malisheva.

Më pas Ceferin foli për pasojat e pushtimit rus të Ukrainës dhe vendimet e marra nga bota e futbollit.

“Askush nuk e priste një luftë në mes të Evropës. Edhe ne po lëvizim si UEFA, unë kam qenë në telefon për 48 orë me lojtarë dhe trajnerë për t’i ndihmuar ata të largohen nga Ukraina. Kërkova ndihmë nga qeveritë, por nuk mund t’i ndihmonin asgjë sepse askush nuk mund të garantonte sigurinë e njerëzve. Është e vështirë të shpjegohet se sa të vështira ishin këto biseda. Një nga lojtarët që u larguan nga Ukraina erdhi direkt në shtëpinë time. Ne duhet të punojmë shumë për të bërë pjesën tonë. Shpresojmë që lufta dhe kjo çmenduri të ndalet sa më parë”, shtoi ai.

Share.