LUFTË SHTRIGASH
Në punë
aty ku jam
kurrë s’i shkova dy ditë të lumtura
sikur ta kisha shtëpinë a zyrën
ngrehur mbi varre
apo gjysmën e vetës mëkat
Në vitrinën time të hekurit
hasa në kakërdhi minjsh
të nesërmën nën breshëri sharjesh
ua mbylla të gjitha birat në mur
dhe e vendosa në tavolinën time të punës
Flamurin e zemërimit
Që atëherë në zyrën time
mbretëron gjendje lufte
sepse jashtë dëgjohen të bien
Daulle cubash
S’jam as unë ai që dua
Armëpushim
se nuk fal gjë nga liria ime
për asnjë çmim
VËLLAIT TIM NË KURBET
(I.Krasniqi)
I.
Ishin të hidhëta të nëntëdhjetat
S’mbaheshin mbi supe
Peshërëndat ditë varfërie
Kur buka nisi të sosej
Dhe rrallë ngopeshim
Përveç kur ëndërronim
Të nesërmen e bardhë
Ulur rreth sofrës me bukë e kripë
Një ditë, herët në mëngjes
E pashë nënën te derë e oborrit
Teksa lëkundte dorën ngrehur lart
Dhe dëniste, sytë mbushur lotë
Shkoi pëllumbi im, gëzimi i nënës
Ta ruaj shtëpinë që të mos shembet
Dhe ju të rriteni gëzueshëm
Fidanët e mi të njomë
Kurbeti është plagë që kullon dhimbje të gjallë
Dhe kot ia kërkon shërimin, s’ka ilaç
Është tokë e tjetërkujt dhe larg përqafimit tim
Tokë që nënë e birë i ndanë
kthen buzëqeshjen në mërzi që ta pushon zemrën dalëngadalë
II.
Një ditë erdhi një letër shkruar nga dorë e tij
Jam mirë e dashur nënë, mos mbaj mërzi
Shtëpia do të ngrohet, askush s’do mërdhijë
Shkollës do t’i kthehen të gjithë vëllezërit e mi
Pëllumbi im, të paça shëndosh- ia ktheu nëna!
III.
Dhe ashtu u bë
Ndërtoi shtëpinë e re në oborrin e vjetër
Laps e libër ua vuri secilit nën sqetull
Ecni para se majë e lapsit bën kohë të reja
Dhe shëron dhimbje e plagë të vjetra…
KJO S’ËSHTË IMJA
merreni këtë pranverë
s’është imja
imja n’veshkë
të luleve
s’ka gurë
s’ka ortakë
njerkë
as plumb të shkrirë
DEKLARATË
(B.K)
E dashur
e di si kam hyrë në ty
pas shumë betejash
miliarda kilometrash udhë
Betohem që
për së gjalli
s’dal dhe pikë
s’ka një të dytë
që lë parajsën
as për t’u kthyer në jetë.
SHKREPTIMË II
U shkrinë të gjitha kohët
në një gotë
të trazuara i pimë
lakuriqësisht
dehur tapë.
Shuam etjen
me lëng kujtimesh.
Me lojë puthjesh
përcillnim kujdesshëm
melodinë e kitarës.
Kur ra kufiri i kohës
lamë zhgarravitur shtratin.
Ta zëmë të nesërmën
nga fillimi.
Ia humbëm kohën gjumit
edhe këtë natë.
KUJTIM PER TY DHE VETEN TIME
Para luftës
veç Ti më kujtohesh
Pas luftës
Ti e para më dole mendsh
Në këtë segment kohe
ngritem lart figurat tona
duke shkruar me makina shkrimi
autobiografi hiperbolike
As paralufta e as paslufta
s’ka ç’hamamin iu duhet arkeologëve
ata le ta gërrithin koren e një toke tjetër
mbase këtej kah kemi ecur këmbë ne të dy
s’ka mbetje mortore dashuria jonë
Në letrën e fundit
të dy nënshkruam
të jetojmë ndaras
me dosjen e kujtimeve mbyllur
Vetëm fundi u bë si deshëm
POEZI E KEQE
Qenin në prehër,
babën në shtëpi të pleqve!
Kundërnjeriu,
pjellë e nëmur!
BARBARËT
Dy kuaj për një pelë
I dhanë
Dhe morën në dorë
Qytetin kryefortë
Pelë e ndërruar
Zunë e i thanë
Ushtarët e çarmatosur
Kuajve të rënë
Asnjeri s’ua pa sot e atë ditë
As bishtin
As kokën
Në katër hyrje-dalje
Vendosën mbishkrimin
Mirë se erdhët në qytetin barbar!
LIRIZËM ELEGJIK PËR VENDIN TIM
Në vendin tim
fatkeqësisht:
gjithçka është e përfolshme
secili ka vulë
dhe të paktën një revole
a një brisk
drekë e darkë në tryezë
shpifjet dhe intrigat
janë specialitet i pagërditshëm
plot kalori
politikanët barkshkyer
kanë prindër të varfër
fëmijë të pasur
me të ardhmen rrokë për bishti
vetëm të varfërit sypërgjakur
e duan dhe ruajnë lirinë
të tjerët e shkërdhejnë
banalisht
fatkeqësisht
s’ke që hynë në asnjë burg
stërmbushur janë me çlirimtarë
plagë e të cilëve kullon gjak të skuqur all
e nesërmja heziton të çel
s’duron sy i saj
ta shoh atdheun
pa asht e pa lëkurë

Share.