Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës sot ka mbledhur strukturat e partisë për të diskutuar për çështjen e dialogut.

Pas më shumë se një ore sa zgjati takimi, nënkryetari i kësaj partie Ardian Gjini tha se ka pasur anëtarë të partisë që e kanë ngritur edhe çështjen e prishjes së koalicionit me LDK-në, por që tema kryesore ka qenë ajo e dialogut.

Ai para gazetarëve ka mohuar që në këtë takim të sotëm është diskutuar edhe për postin e presidentit.

Gjini: AAK nuk ka diskutuar sot për dalje

“Aleanca nuk ka diskutuar sot për dalje. Edhe pse ka pasur anëtarë që kanë menduar se nëse dialogu nuk prodhon rezultate edhe mund të ketë veprime të tilla. Por nuk është diskutuar sot për dalje. Edhe një herë po ju them nëse ka diçka që shkakton problem është procesi i dialogut”, ka deklaruar Gjini.

Pas takimit të mbajtur të martën, nënkryetari Ardian Gjini ka theksuar se pika qenësore është njohja reciproke me Serbinë. Ndër tjera ka shtuar se tema e vetme e diskutimit të sotëm ishte ajo e dialogut.

Gjini: Gjitha marrëveshjet tjera mund të arrihen, por njohja është qenësore

“Tema e vetme e diskutimit ka qenë tema e dialogut. Patjetër që ne si aleancë i përshëndesim të arriturat që kemi para vetës tani pas marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë. Edhe i falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të arriturat. Ne mendojmë që dialogu si proces duhet ta shohim edhe një herë. Aleanca do të insistojë që disa detaje, disa elemente qenësore të dialogut të shihen edhe një herë. Për çka do të kemi edhe takime të tjera. Pavarësisht se ne kemi kërkuar që të arrihet edhe më shumë në dialog, ne kemi ditur që do të jetë pikë njohja e ndërsjellë e Kosovë dhe e Serbisë, pikë e cila është hequr edhe mendojmë se në një të ardhme të afërt duhet të jetë kjo pikë. Sepse është pikë qenësore, gjitha marrëveshjet tjera mund të arrihen, por njohja është qenësore”, tha ai.

Për çështjen e dialogut, Gjini tha se është diskutuar gjatë, dhe se Kosova duhet të përgatitet më mirë për negociata se deri më tani.

Gjini ka shtuar se kërkojnë të arrihet më shumë me njohje të ndërsjellë të Serbisë.

Gjini: Nëse jemi shumë serioz mund të sjellim suksese për Kosovën

“Ne jemi në koalicion qeverisës, por në të njëjtën kohë jemi edhe një parti politike serioze, e cila me seriozitet të jashtëzakonshëm i merr këto procese nëpër të cilat Kosova nuk mund të kalojë dy herë. Marrëveshjet qe ndodhin nuk mund të ketë përsëritje dhe serioziteti duhet të jetë maksimal. Edhe pavarësisht të qenurit në qeveri me të njëjtin seriozitet do ta kishim marrë këtë proces. Për shkak se janë faza nëpër të cilat po kalon Kosova dhe të cilat mund të sjellin dëme të pa riparueshme me të cilat do të jetojmë për një kohë të gjatë. Ose nëse jemi shumë serioz mund të sjellim suksese për Kosovën”, ka shtuar Gjini.

Gjini ka folur edhe pikën marrëveshjes së nënshkruar, ku përmendet Ujmani. Sipas tij, insistimi i Ramush Haradinajt ka qenë që mos të përfshihet në marrëveshje tripalëahe me Serbinë.

Gjini: Serbia nuk mund të jetë palë vendimmarrëse për Ujmanin

“Gjatë komunikimit me ministrin Selimi edhe me kryeministrin Hoti dhe kryetarit Haradinaj unë kam qenë në tavoline me të. Në atë kohë kryetari Haradinaj ka treguar që nëse Serbia mbetet palë në vendimmarrje bashkë me ne për Ujmanin, atëherë aleanca menjëherë e rishikon qëndrimin për qeveri, dhe se nuk do të mbështet një marrëveshje të tillë. Kryetari Haradinaj ka insistuar që për Ujmanin mund të kemi marrëveshje bilaterale me ShBA-të, por nuk mund të kemi marrëveshje tripalëshe për çfarëdo lloj vendimi. Unë e di që edhe kryeministri Mustafa ka qenë i informuar dhe kemi qenë në komunikim. E di që edhe ai e ka ndarë të njëjtin mendim. Mirëpo është dashur të shkohet deri në atë fazë sa me tregu që kjo pikë nuk mundet me u merr ashtu siç është”, ka thënë Gjini. /TV Malisheva

Share.