Spanja do të blejë 20 milionë doza të vaksinave të prodhuara nga Pfizer dhe BioNTech dhe dërgesat e para të ilaçit antiCOVID-19 mund të merren në fillim të vitit të ardhshëm, tha sot ministri i Shëndetësisë Salvador Illa.

“Ne po llogarisim që mund të ketë 20 milion doza të vaksinës Pfizer. Duke qenë se duhen dy doza për një person, ne mund të vaksinojmë 10 milionë spanjollë kundër koronavirusit,” tha Illa për televizionin publik spanjoll TVE.

Ministri spanjoll tha se qeveria në Madrid do të nënshkruante një kontratë me kompaninë amerikane Pfizer “këtë ose javën tjetër” në mënyrë që dozat e para të mund të mbërrinin në fillim të 2021.

Ai tha se vaksina do t’i dorëzohet sistemit shëndetësor falas dhe se më pas do të vendoset sipas “kritereve teknike” dhe rekomandimeve të ekspertëve të cilët do të vaksinohen të parët. Ai shtoi se ka mjaft të ngjarë që njerëzit nga grupi i rrezikut të vaksinohen së pari, të tillë si personeli mjekësor.

I pyetur nëse vaksinimi kundër COVID-19 do të jetë i detyrueshëm në Spanjë, ai u përgjigj negativisht.

“Nuk besoj se vaksinimi i detyrueshëm është i nevojshëm. Njerëzit janë të vetëdijshëm se në të kaluarën, shumë sëmundje infektive janë kapërcyer nga vaksinimi,” tha Illa.

Spanja, një vend me popullsi prej 47 milionë banorësh, ka regjistruar 1.3 milion raste me koronavirus që nga marsi, nga të cilët 39,350 kanë vdekur.

Ndryshe, të hënën, Pfizer dhe BionNTech raportuan se vaksina e tyre ishte 90 për qind efektive, por ajo duhet të marrë lejen për përdorim nga ana e rregullatorit.

Share.