Komisioni i Granteve sot ka aprovuar rishikimin e buxhetit për Kornizën afatmesme të shpenzimeve (KASH) 2021-2023.

Ministria e Financave ka filluar procesin e rishikimit të KASH-it për shkak të pasojave socio-ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19 e që kanë ndikuar në rënien e të hyrave buxhetore.

Gjatë muajit prill të këtij viti, MF pati hartuar KASH-in duke u bazuar në vlerësimin e situatës socio-ekonomike të vështirësuar nga pandemia dhe parashikimeve se në gjysmën e dytë të vitit 2020 situata ekonomike do t’i kthehet normalitetit.

Bazuar në këto parashikime, MF kishte pritur një rritje ekonomike reale prej 2.1% për vitin 2020. Megjithatë, vlerësimet e fundit sugjerojnë për një rënie më të ndjeshme të aktivitetit ekonomik sesa që ishte parashikuar, ku rritja reale e BPV-së për vitin 2020 pritet të luhatet brenda intervalit [- 6.5% deri në – 5.0%].

Zhvillimet e pafavorshme në ekonomi janë reflektuar në të hyrat buxhetore prej më shumë se 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe rënie akoma më të lartë krahasuar me planin e të hyrave të planifikuara për vitin 2020.

Po ashtu, performanca e dobët e ekonomisë dhe e të hyrave gjatë vitit 2020 dhe pasiguria që pritet të karakterizojë edhe vitin e ardhshëm do të reflektojë në uljen e të hyrave edhe për periudhën afatmesme (2021- 2023) nga niveli i projektuar në KASH në muajin prill 2020. Duke marrë për bazë këtë situatë, MF është e detyruar që në rishikimin e KASH-it ta reflektojë këtë trend të të hyrave.

Ulja e projeksioneve buxhetore në KASH 2021-2023 do të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe prek të gjitha organizatat buxhetore në mënyrë proporcionale, thuhet në komunikatë për media. /TV Malisheva

Share.