Një zyrtar i Koresë së Jugut është qëlluar për vdekje dhe është djegur nga trupat e Koresë së Veriut, tha ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut, duke dënuar aktin brutal.

Seuli zyrtar tha se burri, i cili punonte për Departamentin e peshkimit, u zhduk nga një anije patrullimi afër kufirit dhe u gjet më vonë në ujërat e Veriut.

Ushtarët e Koresë së Veriut e qëlluan atë, pastaj derdhën vaj mbi trupin e tij dhe e dogjën, tha ministria.

Pyongyang nuk ka komentuar akuzat e palës jugkoreane. Incidenti do të ishte hera e dytë që trupat e Koresë së Veriut kanë qëlluar dhe vrarë një civil të Koresë së Jugut. Në korrik 2008, një turist u qëllua nga një ushtar në malin Kumgang.

Zyrtari ishte në anijen e tij patrulluese rreth 10 km nga kufiri me Veriun, pranë ishullit Yeonpyeong, kur u zhduk të hënën, tha ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut.

Një anije patrullimi e Koresë së Veriut gjeti burrin, i cili kishte veshur një xhaketë shpëtimi, në det rreth orës 15:30 me kohën lokale të martën, shtoi Seuli zyrtar.

Ata vunë maska gazi dhe e morën në pyetje nga një distancë përpara se të vinin “urdhrat nga [një] autoritet epror” që njeriu të vritej. Ai u qëllua për vdekje në ujë.

Trupat e Koresë së Veriut pastaj dogjën kufomën ndërsa ishin në det, thanë zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut, duke shtuar se ata besonin se kjo mund të ketë qenë një masë antikoronavirus.

Presidenti Moon Jae-in e quajti vrasjen një incident “tronditës” që nuk mund të tolerohet. Ai e nxiti Veriun të merrte masa “të përgjegjshme” mbi sulmin.

Linja e nxehtë ushtarake midis Veriut dhe Jugut u ndërpre në qershor dhe zyra ndërlidhëse ndër-koreane, e cila u ndërtua për të ndihmuar të dy palët të komunikonin, u shkatërrua nga Koreja e Veriut. Por ushtria e Koresë së Jugut dihet se përgjon radio-komunikimet e Veriut, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Pyongyang mbylli kufirin e saj me Kinën në janar në përpjekje për të parandaluar infeksionet. Në korrik, media shtetërore e Koresë së Veriut tha se vendi kishte ngritur gjendjen e tij të jashtëzakonshme në nivelin maksimal.

Share.