Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se deri në orën 16.00 të ditës së sotme janë rinumëruar edhe 65 vendvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha për KosovaPress se në përgjithësi numri i vendvotimeve të rinumëruara, që nga pasditja e 13 nëntorit e deri më tani, është 1.034 apo 73.49%.

“Në QNR janë 33 tavolina numërimi dhe gjatë një ndërrimi prej orës 08:00 deri në ora 16:00 vetëm njëra prej tyre numëron mesatarisht 750 fletëvotime, si dhe kryen të gjitha procedurat tjera që kanë të bëjnë me plotësimin e formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe formularët e rezultateve të kandidatëve për deputetë”, ka thënë Elezi.

Më herët, zëdhënësi i KQZ-së tha për KosovaPress se rinumërimi i më shumë se 1400 vendvotimeve mund të përfundojë më herët se sa që ishte pritur.

“Besojmë se më shpejt sesa kemi planifikuar po arrijmë ta përfundojmë rinumërimin. Ka qenë e planifikuar që deri të hënën të përfundojë i gjithë ky proces. Sot mund të themi se gjasat janë shumë reale që edhe të dielën të përmbyllet rinumërimi i më shumë se 1400 vendvotimeve për të cilat ka vendosur PZAP-i”, tha Elezi.

Share.