Teheran, 3 dhjetor (Reuters) – Irani nuk do t’i pranojë parakushtet e administratës së ardhshme të demokratit Joe Biden lidhur me programin e bërthamor, dhe SHBA-ja duhet t’i kthehet marrëveshjes së vitit 2015 në mënyrë që të mund të nisin bisedimet e reja, ka thënë të enjten ministri i Jashtëm iranian.
Kryediplomati iranian, Javad Zarif, ka thënë se SHBA-ja duhej të plotësonte “zotime” edhe vetë.Presidenti i zgjedhur amerikan ka thënë se do t’i ribashkohet programit bërthamor dhe t’i heqë sanksionet nëse Irani i kthehet “respektimit strikt të marrëveshjes bërthamore”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore e 2015-s në maj të vitit 2018.
Ai më pas rivendosi sanksione strikte ekonomike kundër Iranit, duke marrë në cak sektorët e naftës dhe ata financiarë të këtij shteti.
Teherani që nga ajo kohë i ka shkelur kufijtë e aktiviteteve të saja bërthamore, të vëna në pajtim me marrëveshjen e vitit 2015, duke ngritur dyshime se mund ta përdorë programin si mbulesë për prodhimin e bombës bërthamore.
Qeveria iraniane megjithatë insiston se ambiciet bërthamore të saja janë tërësisht paqësore.
Marrëveshja e 2015-s ishte krijuar për frenimin e programit në një mënyrë të verifikuar, në shkëmbim të zbutjes së sanksioneve.
Përmes fjalimit në një konferencë virtuale të enjten, nikoqire e së cilës ishte Italia, Zarif ka thënë se SHBA-ja kishte bërë “shkelje të rëndë” të rezolutës së OKB-së duke e braktisur marrëveshjen bërthamore të 2015-s. “SHBA-ja duhet të ndalet, SHBA-ja duhet ta ndërpresë cenimin e së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë ai.
“Nuk ka nevojë për kurrfarë negociatash”.Zarif po ashtu ka shtuar se SHBA-ja “nuk ishte në pozitë të vërë kushte”.
Bideni, që pritet të japë betimin si president i 46-të i SHBA-së më 20 janar, ka thënë se prioritet do ta ketë kthimin e SHBA-së si pjesë e marrëveshjes dhe shqyrtimin e mundësisë së heqjes së sanksioneve.
Por ai ka kërkuar që Irani fillimisht t’i përmbushë kushtet e vëna.
Ai i ka thënë gazetës “New York Times” gjatë kësaj jave se “do të jetë vështirë”, porse “gjëja e fundit që na duhet në atë pjesë të botës është përforcimi i kapaciteteve bërthamore”. /TV Malisheva